Shqipëria ka ratifikuar 100 % marrëveshjen me Malin e Zi për ndërtimin e Urës mbi Lumin Buna që lidh Velipojën me Ulqinin. Marrëveshja ka kaluar edhe hallkën e fundit procedurale, duke iu publikuar në Fletoren Zyrtare, pas dekretimit nga Presidenti.
Objektivi i përgjithshëm i Projektit është ndërtimi i Urës që përmirëson lidhjet ndërkufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke krijuar kushte për shfrytëzimin maksimal të potencialeve natyrore dhe kulturore, si dhe forcimin e zhvillimit ekonomik dhe social në rajon.
Hartimi i projektit është përgatitur me burimet financiare të palës shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).
Palët bien dakord të bashkëfinancojnë ndërtimin e Urës në masën 50% nga secila palë, duke përfshirë kostot totale të ndërtimit, mbikëqyrjes dhe shërbimeve të tjera që lidhen me realizimin e projektit.
Marrëveshja për ndërtimin e urës u nënshkrua në Podgoricë, më 27 shkurt 2023 nga kryeministrat e dy vendeve, Dritan Abazović dhe Edi Rama.
Referuar deklarimeve publike, punimet për këtë urë janë parashikuar të përfundojnë në gushtin e vitit të ardhshëm. Ura do të jetë e gjatë 380 metra me 3 harqe dhe do përdoret për makinat, kalimtarët e biçikletat. Kostoja e projektit llogaritet rreth 9 milionë euro./Scan