E hënë, 2 Dhjetor, 2024

“Policët duhet të lirohen!”, Rama: Paqja është në tryezë me dokumentin për marrëveshjen, mundësia e artë s’do të jetë përgjithmonë për Kosovën

Kryeministri Edi Rama iu ka bërë sërish thirrje autoriteteve serbe që të lirojnë 3 efektivët e Policisë së Kosovës, të arrestuar pak ditë më parë.

Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij hungarez, Viktor Orban, Rama nënvizoi disa herë faktin se bashkësia ndërkombëtare ia ka dhënë zgjidhjen për paqe me Serbinë, në tavolinë Kosovës, ndërsa shtoi se ndoshta nesër nuk do të jenë këto mundësi.

“Është imediate nevoja, urgjenca që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu apo atje, për të cilat KFOR nuk do t’i japë konkluzion publik por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është e qartë se në të gjitha rastet tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim. Edhe nëse do të supozonim se kanë shkelur kufirin, ka vetëm një përgjigje; kthimin e tyre në shtëpi. Jemi të fokusuar që ta bëjmë këtë të mundur. Po përdorim të gjithë kanalet e mundshme që ta bëjmë sa më parë. Një zgjedhje të përbashkët? Është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroatlantike me pikat shumë të qarta dhe të palëvizshme. Me rëndësi është se paqja është në tryezë, dokumenti i marrëveshjes është në tryezë dhe mundësia historike po ashtu. Për të mbuluar një kapitull të gjatë dhe të dhimbshëm, për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht nga të gjithë dhe nga Serbia. Është kaq e madhe kjo mundësi, sa të tjerat janë produkt i një devijimi të panevojshëm nga fokusi”.

“Fokusi është që të bëhet paqja në tryezë. Bashkësia ndërkombëtare ia ka dhënë në tryezë Kosovës zgjidhjen. Ndaj edhe një gjë do të shtoja, s’kam eksperiencën e kryeministrit, por besoj se mund ta them me plot gojë. Ajo marrëveshje që është në tavolinë nuk është e thënë që të jetë aty përgjithmonë. Situatat mund të ndryshojë, konjukturat mund të ndryshojnë dhe mund të hyjmë në një tjetër kohë të gjatë në histori, ku nuk do të kemi zgjidhje. Të tjerat, po i përsëris, mund të jenë pilula ekzaltimi për atë që identifikojnë veten si patriotë në luftëra imagjinare, por larg boshtit.”, tha ai.

Rama theksoi dhe njëherë se qysh nga sekonda e parë e daljes së lajmit, ne jemi angazhuar nga të katërta anët me të gjitha kanalet e mundshme për lirimin e 3 punonjësve të policisë.
“Debati mbi shkeljen, apo mos shkeljen e të cilëve është i rëndësishëm në nivelin politik dhe në nivelin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe nën niveli ne marrëdhënieve ndërkombëtare, por nuk kanë asnjë rëndësi për tre burra që janë sot larg shtëpisë së tyre dhe që duhet të kthehen menjëherë. Pastaj debati ishin këtej apo ishin andej, dhe konkluzionet përkatëse për të mund të vazhdojnë. Ajo që është me rëndësi është se ata nuk mund të mbahen për shkelje kufiri në Serbi, duhet të kthehen në shtëpitë e tyre sepse nuk kanë bërë asnjë krim dhe sikur të presupozojmë se janë kapur disa qindra metra në anën tjetër apo qindra metra në këtë anë, pala e tretë që merret me këtë punë thotë dhe kështu dhe ashtu, nuk ka asnjë vlerë kjo në raport me ata. Shkelje e kufirit do të thotë kthehu mbrapa! Kaq! Mbajtja e tyre është e pajustifikueshme nëse vazhdon përtej ditës së sotme. Është e pajustifikueshme që në fillim, por duhet të mbarojë”, tha kryeministri shqiptar.

Ndërsa Orban tha se javën tjetër do të kemi një takim bilateral me Beogradin dhe shpresoj se kjo çështje deri atëherë do të zgjidhet.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit