E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Rriten sërish interesat për huamarrësit në Euro

Banka Qendrore Europiane (ECB) rriti përsëri të enjten normat e interesit me 0.25 pikë përqindje, duke i çuar ato në nivelin më të lartë që prej fillimit të vitit 2001.

Norma kryesore e referencës, ajo e operacioneve kryesore të rifinancimit arriti në 4%, norma e interesit e depozitave ditore në 3.5%, ndërsa norma e interesit e kredive ditore u rrit në 4.25%.

Rritja e radhës ishte një lëvizje e pritshme, në vazhdimësinë e përpjekjeve të këtij institucioni për të përmbushur misionin e uljes së inflacionit pranë objektivit të vet prej 2%.

Megjithë një cikël të gjatë të rritjeve të normave të interesit, inflacioni në Eurozonë ngelet ende i lartë, sipër nivelit të 5%.

Rritja e radhës e normave të interesit nga ECB-ja ka një ndikim në të gjitha produktet financiare në monedhën europiane, duke ndikuar rrjedhimisht edhe tregun mjaft të euroizuar shqiptar. Efektet më të shpejta dhe të drejtpërdrejta përcillen në normat e interesit të kredive, që në përgjithësi ndërtohen mbi ecurinë e indeksit reference (benchmark) të Euriborit.

Bazuar në pritshmëritë për rritjen e normave të interesit nga ECB-ja, Euribori ka shënuar një fazë të re rritjeje prej fillimit të muajit qershor. Në datën 14 qershor, Euribori 12-mujor arriti në 3.94%, shumë afër nivelit maksimal të 15 viteve të fundit, që ishte shënuar në muajin mars të këtij viti.

Për huamarrësit që kanë kredi me norma të ndryshueshme interesi në Euro kjo rritje pritet të përkthehet në një shtrenjtim të mëtejshëm të kësteve mujore të kredisë.

Në 12 muajt e fundit, Euribori 12-mujor është rritur me afërisht tre pikë përqindje, që i përcillen automatikisht normës totale të interesit të kredisë në rishikimin, që zakonisht bëhet me frekuencë vjetore.

Aktualisht, normat e interesit pë kreditë me norma të ndryshueshme interesi në Euro janë edhe më të larta se ato në Lekë.

Treguesi më i zakonshëm benchmark për Lekun, yield-i i Bonove 12-mujore, ka zbritur në 3.29%, niveli më i ulët në 10 muajt e fundit. Ndryshimi vjetor i yield-it të Bonove 12 mujore është vetëm 0.8 pikë përqindje, kundrejt rritjes me rreth tre pikë përqindje të Euriborit.

Për më tepër, normat fikse të interesit mbi treguesin e referencës për Euron në përgjithësi janë më të larta, të paktën për kreditë ekzistuese. Kjo ka ndodhur sepse Euribori për vite me radhë ka qenë në territor negativ (llogaritej 0 për përcaktimin e normave të interesit të kredive).

Kursi i vendosur që po ndjek ECB-ja për rritjen e normave të interesit po sjell një shtrenjtim të ndjeshëm të huave edhe për kredimarrësit shqiptarë, megjithëse rritja e normave të interesit është zbutur pjesërisht nga rënia e kursit të këmbimit të euros me Lekun.

Lëvizjet në drejtime të ndryshme të treguesve benchmark në pjesën e parë të këtij viti kanë bërë që, si rrallë herë, normat e interesit për kreditë në Lekë të jenë më të ulëta se për ato në Euro.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të zhvillojë mbledhjen e radhës për vendimmarrjen e politikës monetare më datë 5 korrik.

Analistët financiarë mendojnë se me shumë mundësi këtë herë edhe Banka e Shqipërisë do të rrisë normën bazë të interesit, duke parë sinjalet e gjallërimit të inflacionit në muajin maj dhe nivelet në vazhdimësi të larta të inflacionit bazë. /Monitor

Artikuj te ngjashem

Me te fundit