Ka qenë e dukshme vëmendja e shtuar e firmës mirëmbajtëse të aksit nacional Skuraj – Peshkopi, në segmentin nga Klosi në drejtim të Dibrës.
Shpeshherë është ndërhyrë në këtë rrugë për mbushjen e gropave dhe rregullimin e deformimeve aty ku ka patur.
Sëfundmi firma ka nisur punën nga ura e Çerenecit në drejtim të Bulqizës për të riparuar pjesët e dëmtuara.
Siç duket nga pamjet, standarti është tjetër me atë që është bërë shumë muaj më parë në segmentin nga Skurajt në Burrel.
Në zonën e Bulqizës, po bëhet prerja e asfaltit të dëmtuar dhe më pas bëhet mbushja me asfalt, por e kundërta ka ndodhur me pjesën tjetër nga Burreli në Skuraj ku ndërhyrjet kanë qenë me pikatore dhe jashtë çdo standarti.
Burime pranë firmës mirëmbajtëse thanë se kjo metodë pune do të përdoret në të gjithë gjatësinë e rrugës, por kjo mbetet për tu parë. Ajo që dihet tashmë është vëmendja e përqendruar e mirëmbajtjes nga Klosi në Dibër që nga hapja e rrugës së Arbrit, pasi trafiku më i madh i automjeteve kalon nga kjo rrugë.
Sa i përket pjesës tjetër të kontratës miliona euroshe, kompania nuk kujtohet që e ka nën përgjegjësi të plotë për ta mirëmbajtur.