E diel, 24 Nëntor, 2024

Putini u jep leksione udhëheqësve afrikanë që kërkojnë të ndërmjetësojnë në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin ndërpreu të shtunën fjalimet hyrëse të udhëheqësve afrikanë që kërkonin të ndërmjetësonin në konfliktin në Ukrainë për të dhënë një listë me arsyet pse ai besonte se shumë nga propozimet e tyre ishin të gabuara.

Zoti Putin fillimisht mirëpriti në Shën Petersburg,udhëheqësit nga Senegali, Egjipti, Zambia, Uganda, Republika e Kongos, Komoret dhe Afrika e Jugut, duke theksuar angazhimin e Rusisë ndaj kontinentit. Por pas prezantimeve, udhëheqësit e Komoreve, Senegalit dhe Afrikës së Jugut, ai ndërhyri për të sfiduar supozimet e planit përpara se të mund të shpreheshin të gjithë përfaqësuesit e delegacionit.

Zoti Putin përsëriti qëndrimin e tij se Ukraina dhe Perëndimi e kishin filluar konfliktin shumë kohë përpara se Rusia të dërgonte forcat e saj të armatosura në kufi në shkurt të vitit të kaluar. Ai tha se Perëndimi, jo Rusia, ishte përgjegjës për një rritje të mprehtë të çmimeve globale të ushqimeve në fillim të vitit të kaluar.

Ai i tha delegacionit se lejimi nga Rusia i eksporteve të drithërave ukrainase nga portet e Detit të Zi nuk kishin asnjë ndikim për të lehtësuar vështirësitë e Afrikës me çmimet e larta të ushqimit, sepse ato kishin shkuar kryesisht në vendet e pasura. Ai tha se Rusia nuk i kishte refuzuar kurrë bisedimet me palën ukrainase, të cilat, sipas tij, janë bllokuar nga Kievi.

Plani afrikan përfshinte thirrjen që të lejohej kthimi i të gjithë fëmijëve që janë marrë nga Ukraina në Rusi gjatë konfliktit, por Presidenti rus Putin tha se Rusia nuk po pengonte asnjë fëmijë ukrainas të kthehej në shtëpi. “Ne i morëm ata nga një zonë konflikti, duke u shpëtuar jetën”, tha ai.

Udhëheqësit afrikanë po kërkojnë marrëveshje për një sërë “masash për ndërtimin e besimit” edhe pse Ukraina javën e kaluar filloi një kundërofensivë për të larguar forcat ruse nga territori i saj.

Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa parashtroi 10 pikat e nismës afrikane, pasi presidenti i Komores Azali Assoumani, kryetar aktual i Organizatës Bashkimit Afrikan, i tha zotit Putin: “Ne kemi ardhur këtu për t’ju dëgjuar ju, dhe përmes jush popullin rus, dhe t’ju inkurajojmë të hyni në negociata me Ukrainën në mënyrë që t’i jepet fund sprovës së vështirë. Ne ia dhamë vetes këtë mision sepse, si afrikanë, për fat të keq, na është dashur të menaxhojmë konflikte të shumta dhe përmes dialogut dhe negociatave kemi arritur t’i zgjidhim ato”.

Delegacioni i tha presidentit rus se ishte koha për të biseduar për përfundimin e luftimeve, të cilat sipas tyre po dëmtojnë të gjithë botën. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha pas takimit me udhëheqësit në Kiev të premten se bisedimet e paqes me Rusinë do të ishin të mundshme vetëm pasi Moska të tërhiqte forcat e saj nga territori i pushtuar ukrainas. Ai shtoi se nuk mund të kuptonte se çfarë mund të përfitohej nga takimi i delegacionit me Putin./Zëri i Amerikës

Artikuj te ngjashem

Me te fundit