Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në një konferencë për mediat, pas kontrolleve në kampin e muxhahedinëve, sqaroi aksionin e policisë.
Ai tha personi që ka humbur jetën të martën në kampin e muxhahedinëve në Manzë, nuk ka vdekur si pasojë e veprimeve të policisë.
“Personi që ka vdekur sot në kamp, ju garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë. Po presim ekspertizën mjeko-ligjore.
Ka pamje edhe nga policia, por jam i bindur që ka pamje edhe nga vetë anëtarët e MEK, që vërteton këtë gjë. Sepse nuk është prekur qoftë edhe një anëtar me dorë. Do të presim ekspertizën mjeko-ligjore”, tha Çuçi në një deklaratë për mediat.
Ai tha se vdekjet brenda kampit ndodhin rëndom sepse është një komunitet që ka krijuar jetën aty dhe është fenomen i natyrshëm./btvnews.al