E premte, 22 Nëntor, 2024

Lufta kundër terrorizmit e sulmet kibernetike, policia kontroll në kampin e MEK në Manzë të Durrësit!

Paraditen e sotme Policia e Shtetit po ekzekuton një urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata e Tiranës në ambientet e kampit MEK në Manzë të Durrësit.

I përfshirë në operacion është edhe antiterrori. Burime policore bëjnë me dije se urdhri i kontrolleve është në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe për parandalimin e sulmeve kibernetike.

Shumë nga banorët e kampit, ku strehohet opozita iraniane janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje dhe po kthehen sërish në kamp.

Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp. Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij. Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar”, sipas Policisë së Shtetit.

Kujtojmë se gjatë vitit që lamë pas shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht për shkak të sulmit kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga Irani.

Pas sulmit kibernetik të faqeve zyrtare online, hakerët sulmuan më pas sistemin TIMS, duke sjellë kaos prej javësh në pikat kufitare të vendit.

Hakerat iranianë publikuan një video në faqen ‘Homeland Justice’ në pikën kufitare të Rinasit, në momentin që policët zbuluan se kishin rënë pre e një sulmi.

Më pas ata publikuan të dhëna sensitive nga sistemi MEMEX, i cili përmban listën e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale, e-maile dhe të dhënat e ish-Drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të dhënat e drejtorit aktual të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku,  dy pasaportat e kryeministrit Edi Rama, një diplomatike dhe një e zakonshme si dhe udhëtimet e tij që prej vitit 2004 deri në maj të vitit 2022.

Qeveria shqiptare mori vendimin që të dëbonte diplomatët iranianë në Tiranë pas kësaj situate të krijuar, duke njoftuar  prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Stafi i ambasadës la pa memorie serverin e kamerave të sigurisë dhe disa pajisje teknologjike në godinë, ndërsa dogji dokumentet që gjendeshin në zyra.

Aktualisht, rreth 3,000 anëtarë të MEK vlerësohet të jetojnë në Kampin Ashraf-3, një kompleks ky i fortifikuar rëndë.

Për herë të parë, muxhahedinët nisën të vijnë në Shqipëri në 2013-tën pas një marrëveshjeje me qeverinë e atëhershme shqiptare, të drejtuar nga Sali Berisha.

Organizata politike e rreshtuar në krah të kundërt me regjimin e ajatollahëve të Iranit, është në konflikt të hapur me të.

Grupi është në shënjestrën e Gardës Kombëtare iraniane. Raporte të ndryshme tregojnë se shërbimi sekret iranian ka rekrutuar edhe shtetas shqiptarë për t’i mbajtur muxhahedinët e MEK-ut nën vëzhgim, e për këtë paguheshin nga Teherani.

Që në 2018-tën është hapur një dosje që flet për rrezikun e një goditjeje të mundshme në Shqipëri. Tre vjet më parë, u zbuluan planet e një celule terroriste iraniane që pretendohej se do të kryente një sulm terrorist në vendin tonë në ditën e Sulltan Nevruzit në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit