E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Sejko dhe shefja e misionit të FMN: Kursi i lirë i këmbimit, i dobishëm për ekonominë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi të hënën takimin përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.

Në fokus të takimit ishte analiza e situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, projeksionet për të ardhmen, si dhe diskutimi mbi politikat e ndjekura.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vlerësoi se ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje në vitin 2023, duke dëshmuar qëndrueshmërinë e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat. Guvernatori theksoi se rritja ekonomike pritet të udhëhiqet nga rritja e konsumit privat dhe e eksporteve në planin e kërkesës agregate, dhe nga zgjerimi i sektorit të shërbimeve dhe të ndërtimit në planin sektorial. Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori u shpreh se veprimtaria e tij është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, me tregues të përfitueshmërisë dhe kapitalizimi në nivele të përshtatshme për të ofruar mbështetje për stabilitetin financiar të vendit.

Shefja e Misionit të FMN-së u shpreh se sistemi bankar, në përgjithësi, ka treguar rezistencë ndaj goditjeve të njëpasnjëshme, me pozicione të shëndetshme kapitali dhe likuiditeti. Ajo inkurajoi monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit.

Në vijim, Guvernatori Sejko theksoi se inflacioni ka qenë në qendër të vëmendjes të Bankës së Shqipërisë dhe se politikat monetare dhe ato ekonomike të ndjekura kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit dhe në uljen e pasigurisë. Gjithashtu, kahu konsolidues i politikës fiskale dhe forcimi i kursit të këmbimit kanë ndihmuar në reduktimin e inflacionit dhe kanë mundësuar një rritje më të ngadaltë të kostove të financimit në ekonomi.

Ndërkohë, Shefja e Misionit të FMN-së vlerësoi punën dhe rezultatet e arritura nga Banka e Shqipërisë në drejtim të forcimit të stabilitetit monetar e financiar të vendit. Në veçanti, zj. Weber u ndal te rëndësia e kthimit të inflacionit në objektiv dhe shprehu mbështetjen ndaj masave të Bankës së Shqipërisë për të vijuar me normalizimin e politikës monetare.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte kursi i këmbimit në vend dhe forcimi i monedhës kombëtare Lek. Guvernatori u shpreh se Shqipëria ka pasur gjithnjë një regjim të lirë kursi këmbimi në rrugën e saj të tranzicionit e zhvillimit, regjim i cili i ka dhënë asaj një instrument të rëndësishëm për përballimin e goditjeve dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit, e megjithatë i kushton një vëmendje të veçantë ecurisë së tij.

Guvernatori shtoi se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative, çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar. Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë një rritje të konsiderueshme në investimet e huaja direkte, një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga turizmi, rritje të eksporteve në total, si dhe një rritje të remitancave në krahasim me vitin e kaluar.

Shefja e Misionit të FMN-së konstatoi se trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me rritjen e eksporteve dhe përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi dobinë dhe përfitimet që ka ekonomia shqiptare nga regjimi i lirë i kursit të këmbimit dhe theksoi se, në përputhje me këtë regjim, ndërhyrja në tregun valutor duhet të kufizohet në kushtet e çrregullimit të tregut, duke ruajtur rolin e kursit të këmbimit si amortizues goditjesh./Monitor/

Artikuj te ngjashem

Me te fundit