E besoni apo jo, por më shumë se sa suksesi përballë Ishujve Faroe, tifozët kuqezi dhuratën më të bukur e morën nga Moldavia. Të paktë ishin ata që e imagjinon një përfundim të tillë, një fitore 3-2 e Moldavisë përballë Polonisë, atyre që konsiderohen si kokë grupi dhe favoritët kryesorë. Moldavët dhuruan një nga befasitë më të mëdha në Grupin E, thyejnë me përmbysje Poloninë e Robert Lewandowskit duke trazuar kartat në këtë grup. Gjithçka dukej se po shkonte sipas parashikimeve ku Milik pas një rrëmuje në zonë kaloi Poloninë në avantazh që në minutën e 12-të. Ekipi i Santos nuk u mjaftua me kaq, por në minutën e 34-ët, kapiteni Lewandowski me një goditje të saktë në zonë dërgoi shifrat në 0-2.
Historia e këtij takimi dukej e mbyllur këtu, pritej një goleadë, por me fillimin e pjesë së dytë, Nicoleaescu fillimisht ngushtoi shifrat në 1-2 në minutën e 48-të ndërsa në të 79-tën realizoi dhe golin e dytë personal duke barazuar shifrat në 2-2. Atëherë kur të gjithë prisnin që Polonia të shënonte golin e fitores, një gafe e portierit Szczensny bëri që Baboglo me kokë të shënonte golin e tretë për Moldavinë, një gol që në fund rezultoi një trepikësh.
Kjo fitore e Moldavisë ka trazuar jo pak situatën në Grupin E. Me 3 ndeshje, 7 pikë, Republika Çeke merr kreun e ndjekur nga Shqipëria me 6 pikë në 3 ndeshje.
Me 5 pikë në 4 ndeshje, Moldavia renditet në vendin e tretë, ndërsa në mënyrë befasuese, Polonia e sheh veten në vendin e katërt me 3 pikë në 4 ndeshje. Mbyll Grupin E, Ishujt Faroe me 1 pikë në 3 ndeshje. /btvnews.al