E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Kryesia zyrtarizon kandidaturën e Bashës për kryetar, përballë do të ketë Gjergj Hanin

Lulzim Basha dhe Gjergj Hani janë 2 kandidatët zyrtar për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet që priten të mbahen në 29 korrik. Në mbledhjen e sotme, Kryesia i dha dritën jeshile këtyre 2 emrave që kërkojnë të marrin drejtimin e kësaj force politike.

NJOFTIMI I PLOTË I KRYESISË

Në mbështetje të nenit 45, pika 1 të Statutit të PDSh-së, dhe në zbatim të vendimeve të datave 6 qershor dhe 15 Qershor 2023, Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, bazuar në relacionin e paraqitur nga Sekretariti Ekzekutiv, vendosi miratimin e kandidaturave për zgjedhjet për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë si vijon:  Gjergj Tomor Hani dhe Lulzim Xhelal Basha.

Miratimi i kandidaturave për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike shënon një moment vendimtar për familjen tonë politike. Në prag të çeljes së garës, ne ftojmë çdo demokrat të jetë pjesë aktive e saj dhe e procesit të riorgnizimit, nëpërmjet të cilit do të ngrihemi në lartësinë e vlerave dhe aspiratave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua në Dhjetor të vitit 1990, si forca e parë pro-perëndimore dhe si shpresa e shqiptarëve për ndryshim.

Gjithashtu, nisur nga zhvillimet e fundit brenda forcës sonë politike, Kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj dhe fton secilin prej tyre të vetëpërmbahet nga ngritja e pretendimeve të pabaza që dëmtojnë interesat e familjes sonë politike.

Ne ftojmë çdo anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike të jetë pjesë e jetës institucionale dhe t’i japë zë çdo shqetësimi që mund të ketë brenda mandatit me të cilin është ngarkuar nga anëtarësia.

Mosnjohja e institucioneve, pretendimet mediatike të pabaza dhe akuzat e pamotivuara nuk ndihmojnë procesin e riorganizimit dhe shfokusojnë përpjekjet e përbashkëta për t’u dhënë demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse të denjë për sfidat e Shqipërisë./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit