Luiza Gega vazhdon të mahnisë në çdo garë ku merr pjesë, ndërsa suksesi i radhës ka ardhur ditën e sotme në Kampionatin Europian Ekipor që po mbahet në Poloni.
Pasi kishte fituar 3 ditë më parë në 5000 metra, Gega sot mori triumfin e dytë këtë event, duke u shpallur kampione edhe në 3000 metra me pengesa, që është edhe displina e saj e preferuar, për ti dhënë pikë të tjera të vlefshme Shqipërisë.
Edhe pse është kampione në fuqi e Europës dhe me rekord Europiani, Luiza konkurroi në Divizionin 3, pasi aty bën pjesë Shqipëria. Por kjo nuk e pengoi aspak kampionen tonë që të dhuronte një paraqitje të jashtëzakonshme.
Me rezultatin 9:17.31, Gega u shpall kampione, duke vendosur gjithashtu edhe rekord të ri në 3000 metra me pengesa në Europianin Ekipor.
Por jo vetëm kaq, pasi me këtë sukses Luiza e dërgon në 11 numrin e triumfeve në kampionatet e ndryshme europiane, duke barazuar bullgaren Ivet Lalova-Collio. Luiza Gega mbetet gjithashtu e vetmja sportiste e Shqipërisë që për vite me radhë, rezultatet e saj janë gjithnjë brenda normës kulifikuese për në Lojërat Olimpike.