Nëse në Mat, armiku më i madh i të mbjellave me grurë është karkaleci, në Bulqizë është lulëkuqja dhe barishtet e këqija. Fermeri Miftar Tyçi nga fshati Vajkal i Bulqizës thotë se në 6 dynym tokë të mbjellë me grurë nuk pret të marrë prodhim i cili mbulon koston që duhet deri në korrje. Sipas tij, fajin më të madh e kanë farërat të cilat janë pa çertifikatë sigurie dhe se subjektet që i tregtojnë nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Tyçi shprehet se në parcelat e mbjella me grurë prej tij ka prani shumë të madhe të lulëkuqes dhe barishteve të tjera të këqija të cilat ndikojnë direkt në uljen e rendimentit të prodhimit të grurit.Problemin me cilësinë e farës fermeri Miftar Tyçi e ka hasur edhe tek misri. Sipas tij, është dashur që ta mbjellë tre herë pasi fara nuk mbinte. /btvnews.al