Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet në të gjithën vijën bregdetare dhe ka sekuestruar 11 mjete lundruese (4 Jet Ski, 1 skaf, 1 gomone dhe 5 motovarka artizanale), pasi u konstatuan në paligjshmëri.
Policia sqaron se drejtuesit e këtyre mjeteve lundurese u ndëshkuan me masa administrative që varionin nga 10 000 deri në 200 000 Lekë të rinj.
Autoritetet sqarojnë se në Dhërmi, në Durrës dhe në Shëngjin shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar 3 mjete lundruese Jet Ski që lundronin në zonën e përcaktuar për pushuesit. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me masë administrative nga 100 000 Lekë të rinj secili.
Në Palasë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar 1 tjetër mjet lundrues Jet Ski, pasi pronari i këtij mjeti, e ushtronte aktivitetin e dhënies me qira të mjeteve lundruese, pa u registruar në organet kompetente.
Gjithashtu në Dhërmi, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndëshkuar me masë administrative 20 000 Lekë të rinj pronarin e një mjeti lundures skaf, pasi nuk dispononte dokumentacionin përkatës për të dalë në det. Ndërkaq, në Radhimë, Vlorë, këto shërbime kanë ndëshkuar me masë administrative 100 000 Lekë të rinj, pronarin një mjeti lundrues gomone, pasi ishte bregëzuar në zonë të ndaluar, pranë vijës bregdetare të plazhit.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Durrësit kanë ndëshkuar me masë administrative 300 000 Lekë të rinj, kapitenin e një motopeshkarexhe libiane, pasi u largua nga porti, pa lajmëruar kapitenerinë detare.
Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 5 varka artizanale dhe kanë ndëshkuar administratorët e tyre, me masë administrative nga 10 000 Lekë të rinj secili./btvnews.al