Themeluesi i ushtrisë së mercenarëve Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka reaguar për herë të parë pas rebelimit dhe tensioneve të ngritura me liderin rus, Vladimir Putin.
Në një audio të publikuar nga mediat ndërkombëtare, Prigozhin thekson se qëllimi i rebelimit ishte shmangia e shkatërrimit të grupit Wagner, pasi siç deklaron qëllimi ishte që grupi mercenar të shpërbëhej më 1 korrik.
Kreu i Wagner shton më tej se marshimi në drejtim të Moskës nuk ishte për të rrëzuar Putinin nga pushteti, por kërkimi i llogarisë për zyrtarët.
“Qëllimi i marshimit ishte shmangia e shkatërrimit të Wagner-it dhe vënia para përgjegjësisë së disa zyrtarëve, të cilët me veprimet e tyre joprofesionale kanë bërë shumë gabime”, tha Prigozhin.
Ndërkohë, pas rebelimit 24 orësh të mercenarëve të Wagner, që sfidoi si kurrë më parë pushtetin e Putinit, dhe që kishte si qëllim kryesor largimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ky i fundit shfaqet në një video teksa inspekton trupat e Moskës të përfshira në operacionin ushtarak në Ukrainë./btvnews.al