E premte, 29 Nëntor, 2024

Sot Kurban Bajrami, besimtarët falin namazin në sheshin ‘Skënderbej’

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festën më të rëndësishme në kalendarin e myslimanëve. Besimtarët u mblodhën në sheshin ‘Skëndërbej’ për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Falja nisi në orën 06:00.

Kreu i KMSH, Bujar Spahiu, teksa uroi besimtarët, theksoi se shpresoj që kjo ditë të shërbejë si një ditë reflektimi për secilin nga ne. Në fjalën e tij, ai u shpreh se shpreson që të jemi më të dashur e miqësor me njëri-tjetrin.

“I lutem Zotit që ky Bajram të shërbejë si reflektim i brendshëm për çdo njeri. Të bëhemi më të fortë në besim ndaj Zotit, më të dashur e solidarë me njëri-tjetrin. T’u shtrijmë dorën e ndihmës atyre që kanë më shumë nevojë. I lutem Zotit që në botë të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti mes popujve”, tha Spahiu.

Një mesazh e pati edhe për situatën në veri të Kosovës, për të cilën tha se vëllezërit shqiptarë duhet të gjejnë durimin për te përballuar këtë situatë dhe provokimet nga pala serbe.

“I lutem Zotit që vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të gjejnë durimin dhe maturinë e duhur për të përballuar situatat e fundit të tensioneve dhe provokimeve në Veri të Kosovës. I lutem Zotit që kombi ynë të përparojë në çdo aspekt. Edhe një herë dua t’i uroj përzemërsisht gëzuar Kurban Bajramin çdo familje shqiptare. Gëzuar”, përfundoi Spahiu.

Festa e Kurban Bajramit është një nga dy ditët më të rëndësishme në kalendarin e besimtarëve muslimanë bashkë me Fiter Bajramin, e fundit, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij, Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit