Prokurori i Përgjithshëm i Republikës Islamike të Iranit ka reaguar pas aksioneve të policisë shqiptare në kampin e muxhahedinëve në Manzë.
Mediat vendase citojnë prokurorin Mohammad Jaafar Montazeri, i cili ka thënë se kanë nisur planet për të mbajtur një “gjyq ndërkombëtarë” për të gjykuar anëtarët e një grupi kundërshtarësh të mërguar të qeverisë iraniane.
Prokurori ka deklaruar se sistemi gjyqësor ka përgatitur 700 aktakuza kundër anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit (MEK).
Njoftimi vjen një javë pasi policia shqiptare më 20 Qershor bastisi një kamp pranë Tiranës, ku strehohen mijëra anëtarë të MEK-ut dhe sekuestroi dhjetëra kompjuterë.
Policia tha se operacioni u krye me urdhër të drejtësisë shqiptare për shkak të “shkeljes së marrëveshjeve dhe angazhimeve” të bëra nga grupi kur ata u vendosën në Shqipëri një dekadë më parë./btvnews.al