Fshati Grezhdan, i vendosur në Njësinë Administrative Maqellarë, në bashkinë Dibër, po përjeton zhgënjim për shkak të premtimeve të pakthyeshme për investime që janë bërë për më shumë se 30 vite. Ndër të gjitha premtimet që i janë bërë këtij fshati, njëra prej tyre është asfaltimi i rrugëve të lagjeve në Grezhdan.
Megjithatë, vetëm disa vite më parë u asfaltua vetëm aksi që lidh rrugën kombëtare Peshkopi-Maqellarë me hyrjen e fshatit, duke e lënë gjendjen e rrugëve të brendshme të lagjeve të krahasueshme me ato të viteve ’90. Përveç problemeve në infrastrukturën rrugore, një tjetër sfidë e madhe për banorët e Grezhdanit është furnizimi i ujit të pijshëm.
Fshati ka vetëm dy çezma publike në krye dhe fund të tij, duke e lënë një pjesë të madhe të popullsisë pa akses të lehtë në sigurimin e ujit të pijshëm. Por edhe procedurat për vaditjen e tokave janë të paqarta ndaj banorët kërkojnë rregullim të menjëhershëm.
Banorët e Grezhdanit kërkojnë që autoritetet të angazhohen në investime konkrete për të përmirësuar infrastrukturën rrugore të lagjeve dhe për të siguruar një rrjet të qëndrueshëm të furnizimit me ujë të pijshëm.
Ata shprehin zhgënjimin e tyre për ndërlikimet e krijuara për shkak të premtimeve të pambarueshme dhe shpresojnë që kërkesat e tyre të dëgjohen dhe të ndërmerren veprime të menjëhershme për të zgjidhur këto çështje thelbësore për komunitetin e tyre./btvnews.al