Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vijuar edhe këtë të premte me akuzat për zgjedhjet vendore të 14 Majit, të cilat i konsideron farsë elektorale.
Në komunikimin e përjavshëm me gazetarët, Berisha tha se opozita do të provojë me fakte këto akuza, e në këtë aspekt, javën tjetër Partia Demokratike do të prezantojë një raport me krimet elektorale.
“Dua t’ju informoj ju se raporti për farsën elektorale është i përfunduar. Shumë shpejt, në fillim të javës që vjen ai do paraqitet para jush dhe opinionit publik shqiptar. Ndërkohë është paraqitur dhe vazhdon të paraqitet para opinionit publik ndërkombëtar. Ky raport, i bazuar në qindra dhe mijëra fakte, dëshmon se me 14 maj u zhvillua farsa më e turpshme elektorale pas diktaturës komuniste në Shqipëri dhe Europë.
Ky raport dëshmon se zgjedhjet e vitit 2023 ishin një proces totalisht i kontrolluar nga qeveria, një proces në të cilin shqiptarët votuan në një presion si kurrë më parë në 32 vite. Ndaj, duke qenë në përfundim të këtij raporti, u informoj se ai do paraqitet para jush si një ekspoze tërësore.
Pastaj ka një projekt që do paraqitet qark pas qarku, të gjitha problematikat e mëdha. Qëllimi është një dhe vetëm një, ndërgjegjësimi në respekt të votës së lirë, i qytetarëve shqiptarë për atë që ndodhi me votën e tyre. Vetëkuptohet se rezultate false, PD nuk do njohë kurrë”, tha ndër të tjera kryedemokrati Sali Berisha.