Ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare u ngadalësuan në fillim-vit, siç edhe ishte paralajmëruar nga institucionet ndërkombëtare.
Instituti i Statistikave vlerëson se në harkun e muajve janar-mars Produkti i Brendshëm Bruto u zgjerua me vetëm 2.72 për qind, kur një vit më parë rritja ishte pranë 7 përqindëshit për të njëjtin tremujor.
Ky është madje ritmi më i dobët i rritjes që prej Shatorit 2020, kur vendi përballej me pandeminë dhe vuante pasojat e mbylljes globale.
NJOFTIMI I INSTAT:
Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e parë të vitit 2023 vlerësohet me rritje prej 2,72 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2022.
Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,62 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me 0,60 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,53 pikë përqindje, Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +0,50 pikë përqindje, Ndërtimi me +0,42 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,19 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me +0,16 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0,11 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,10 pikë përqindje.
Negativisht kontriboi grupi: Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me -0,14 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan negativisht me -0,38 pikë përqindje.
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022, shfaqen si më poshtë:
Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një ritje me 0,04 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 1,23 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 4,54 %. Grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 3,52 %.
Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 6,29 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 5,15 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 11,02 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 2,36 %.
Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 4,82 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 31,84 %. Taksat Neto mbi produktet u ulën me 2,81 %./btvnews.al