Ndërtimi i rrugës që do të lidhte Matin me rrugën e Arbrit u vendos që të bëhej nga fshati Fshat i Bashkisë së Klosit. Kjo rrugë fillimisht ishte me një gjerësi për vetëm një makinë, ndërsa përfshirja e saj në projektin e rrugës së Arbrit, kërkonte zgjerim.
Halit Zeneli nga fshati Fshat, thotë se ishte i pari që pranoi që kjo rrugë të zgjerohej, kundër shumë banorëve të tjerë që nuk e pranonin. Ai thotë se zgjerimi ka i ka dëmtuar murin rrethues të banesës, për të cilin i është premtuar nga firma që do t’ja ribënte.
Por edhe pse kanë kaluar disa vite, Haliti shprehet se firma “Gjoka Konstruksion”, nuk ja rindërtoi murin. Në gjendjen në të cilën është sot, thotë Haliti ka frikë të dalë në oborr pasi mund ta zënë mjetet që qarkullojnë aty pranë. Familja e tij është e pafuqishme ekonomikisht për ta rindërtuar, ndaj kërkon që të mbahet premtimi i dhënë kohë më parë.
Nga ana tjetër, Halit Zeneli kërkon ballafaqim me drejtuesin e firmës dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë pasi i është komunikuar se muri është shembur jo nga zgjerimi i rrugës. Rruga lidhëse mes Matit dhe rrugës së Arbrit ka prekur më së shumti banorët e fshatit Fshat, të cilët vazhdimisht kanë ngritur shqetësime të ndryshme, por mbi të gjitha pasiguri./btvnews.al