Aksi rrugor nacional nga Klosi në Qafën e Buallit vijon të jetë në gjendje të mjerueshme. Rruga është degdisur si mos më keq si pasojë e mungesës së ndërhyrjes nga autoritetet përgjegjëse.
Shumë automjete të cilat zgjedhin këtë rrugë për të qarkulluar në drejtim të Bulqizës, Dibrës apo Maqedonisë së Veriut përballen me gropa të shumta dhe gunga kryesisht në fshatin Klos katund.
Për shkak të hedhjes së shtresës së fundit të asfaltit në rrugën e Arbrit në fshatin Plan i bardhë i gjithë trafiku i lëvizjes së automjeteve u kthye nga rruga tjetër. Dhjetra automjete janë përballur me befasi të gropave të shumta në rrugë, ndërsa më problem ka qenë qarkullimi për automjetet e vogëla.
Drejtuesit e mjeteve kërkojnë që edhe ky aks rrugor të mirëmbahet dhe të investohet në të pasi janë taksapagues të rregullt ndaj shtetit shqiptar. Por edhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut e konsiderojnë skandaloze gjendjen e kësaj rruge./btvnews.al