E shtunë, 23 Nëntor, 2024

I shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Italisë,arrestohet në Shqipëri 44-vjeçari

Ka rënë në pranga 44-vjeçari në Shqipëri, Roland Hysollari, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Italisë.

Policia e Shtetit bën me dije se 44-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në trafik droge.

Tashmë pritet ekstradimi i tij drejt shtetit fqinj.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/Operacione të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Doppio gioco”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në bashkëpunim me FAST Albanian, Interpol Tiranën, zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Operacioni vijon paralelisht edhe në Itali, për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

I akuzuar nga autoritetet e Italisë, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin, 44-vjeçari.

Si rezultat i punës lokalizuese të kryer nga shërbimet e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale, në bashkëpunim me FAST Albanian, zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe në vijim të shkëmbimit të informacioneve, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e përkohshëm, më qëllim ekstradimin drejt shteteve ku kanë kryer veprën penale, të shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Doppio gioco”, në kuadër të të cilit u kap shtetasi:

R. H., 44 vjeç, banues në Tiranë.

44-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Ankonas ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar, për të, për veprën penale “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë bashkëpunimin me qëllim ekstradimin e shtetasit R. H., drejt Italisë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit