Shkencëtarët australianë kanë diagnostikuar rastin e parë në botë të encefalopatisë traumatike kronike te një sportiste.
Studimet e kësaj sëmundjeje progesive të trurit të lidhur me sportet agresive zakonisht janë zhvilluar mbi sportistët meshkuj. Diagnoza u krye bazuar në trurin e Heather Anderson, një futbollisteje australiane që vitin e kaluar i dha fund jetës në moshën 28-vjeçare.
Sipas shkencëtarëve, studimi mund të jetë thjesht “maja e ajsbergut” për sportistet.
Encefalopatia traumatike kronike rrit rrezikun e sëmundjeve mendore dhe lidhet me demencën, por mund të diagnostikohet vetëm pas vdekjes. Shkencëtarët mendojnë se shkaktohet nga goditjet dhe lëndimet e vazhdueshme në kokë dhe deri më tani, në Australi janë diagnostikuar 300 raste.
Megjithatë, studimi i saj në yjet femra të futbollit ka qenë i kufizuar. Familja e Anderson ia dhuroi trurin e saj Australian Sports Brain Bank për të kuptuar më tepër mbi vdekjen e saj.
Heather Anderson ka luajtur në 8 ndeshje profesionale dhe ka pësuar lëndime të shumta përgjatë karrierës si dhe një traumë të rëndë në kokë.
Njëri prej shkencëtarëve, Michael Buckland tha se truri i saj kishte tre lezione të pastra, përfshirë edhe në pjesët e organit që komandojnë lëvizjen, zgjidhjen e problemeve, kujtesën, të folurin dhe sjelljen.
Personat që vuajnë prej kësaj sëmundjeje shpesh përjetojnë një mori problemesh mendore për të cilat profesori thotë se familja e sportistes i ka “shprehur në disa mënyra” se “rezultatet kanë kuptim”.
“Depresioni, ankthimi, irritimi, impulsiviteti, përdorimi i alkoolit dhe i drogës, mendimet e vetëvrasjes si dhe akti i saj janë të zakonshme”, tha ai.
Aktualisht, ekipet sportive në të gjithë botën po përballen me presionin për të përmirësuar protokollet e rasteve të lëndimit dhe mbrojtjen e lojtarëve