E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Nuk ndryshon norma e interesit, Guvernatori Gent Sejko: Presionet e larta inflacioniste mbeten faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën e përmujashme me mediat bëri me dije se norma bazë e interesit nuk do të ndryshojë.

Gjatë fjalës së tij, Sejko tha se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e parë të vitit, ndonëse me ritme më të ngadalta në krahasim me periudhën paraardhëse. Po ashtu ai ka shtuar se inflacioni ka ardhur në rënie, duke pasqyruar më së shumti rënien e inflacionit të importuar.

Sipas tij, këto zhvillime kanë qenë në linjë me trendet aktuale në ekonominë botërore dhe në përputhje me pritjet tona.

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.

Megjithatë, Këshilli gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këto rrethana, ai do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në vazhdimësi ecurinë e presioneve inflacioniste dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për arritjen e objektivit, përfshi edhe normalizimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.

Në çdo rast, politika monetare do të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e saj në frenimin e aktivitetit ekonomik dhe pasojave të mundshme të padëshirueshme në stabilitetin financiar“, deklaroi ndër të tjera Gevernatori./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit