“Studentët aktualë duhet të paguajnë kostot nëse duan të largohen nga Shqipëria”
Për të frenuar largimin nga Shqipëria të mjekëve të rinj, Qeveria Shqiptare ka vendosur që do të duhet që në 5 vitet e para pas përfundimit të shkollës të shërbejnë në vend në profesionin e tyre për t’u pajisur me diplomë.
Projekt/ligji u mor sot nga Këshilli i Ministrave dhe u prezantua nga Kryeministri Edi Rama.
Në komunikimin për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Rama bëri të ditur se asnjë mjek i ri që përfundon studimet në universitetin publik, nuk do të pajiset me diplomë pa shërbyer për 5 vite në Shqipëri.
Ndërsa për studentët që janë aktualisht në studime dhe dëshirojnë të largohen nga Shqipëria, do të duhet të paguajnë kostot.
“Në kushtet kur Gjermania dhe shtetet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim ketë hap, që është hapi më normal dhe hapi më i lehtë. Që do të thotë çdo student i Mjekësisë që do hyjë në Universitetin e Mjekësisë do duhet të njihet me faktin që mjekësia studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për t’u pajisur me diplomë duhen edhe 5 vjet në shërbim të këtij populli. Ndërkohë që për të gjithë ata që janë në proces, vitet janë më të ulëta, të përshkallëzuara, por është absolutisht zgjedha e tyre.
Ndërkohë që për ata që do hyjnë në vitin e 1 ka vetëm një zgjedhje. Ata që do duan të studiojnë mjekësi në universitetin publik do duhet të plotësojnë këtë kusht.
Nuk ndryshon asgjë në thelb të së drejtës dhe ushtrimit të profesionit por ama duhet të bëhet këtu, sepse për këtë paguan populli shqiptar taksa, nuk paguan që mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat, të ikin që ditën e parë, ama patjetër që nuk u ndalet e drejta atyre që janë aktualisht në universitet që të lagohen nëse duhet të largohen, por për vitet e mbetura do duhet të paguajnë një tarifë tjetër që mbulon plotësisht kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Projekt-ligji i qeverisë do të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare e më pas do shkojë në Kuvend për votim