Universiteti i Korçës do të vazhdojë të jetë autonom dhe do të përfshihet në një reformë të thellë profilizimi dhe ndërkombëtarizimi.
Kundershtimet e pjesës më të madhe të trupës akademike për t’u bashkuar me Universitetin e Tiranës,vendim që u mor nga Senati Akademik disa ditë më parë, kanë sjellë sot në Korçë ministren e Arsimit Evis Kushi. Pas takimit me pedagoget ministrja e Arsimit pohoi se trupa akademike, por edhe drejtuesit ranë dakord që Universiteti i Korçës të mos bashkohet me atë të Tiranës por të qëndrojë autonom. Ajo vuri theksin te potencialet që ka ky institucion, i cili ka sfidë profilizimin dhe ndërkombetarizimin.
Rektori i Universitetit të Korçës, u tërhoq nga vendimi për t’u bashkuar me UT duke e konsideruar vendimin e senatit një propozim alternativ.
Deputeti i Korçës Niko Peleshi e konsideroi të pamatur dhe të nxituar vendimin për bashkimin me UT, duke inkurajuar vazhdimësinë e këtij insitucioni si autonom. Universiteti i Korçës është pjesë e identetit të këtij qyteti dhe si i tillë nuk mund të cënohet.
Kushi dhe Peleshi iu kanë bëre thirrje maturantëve të zgjedhin programet e Universitetit Fan Noli, disa prej të cilave janë prioritet kombëtar dhe studentët do të paguhen me vlerën e pagës minimale deri në perfundim të studimeve.