Sali Berisha ka deklaruar nga selia blu se SPAK nuk ka asnjë pengesë për të arrestuar Arben Ahmetajn për korrupsion.
Ai tha gjatë deklaratës për gazetarët se Arben Ahmetaj sot ka detyrim t’i tregojë shqiptarëve se ku ishte kur Rama i shkoi me avion të posaçëm për ta detyruar të firmoste për aferën e inceneratorëve.
“Siç e dini në vitin 2012, PD dhe koalicioni qeverisës ka hequr imunitetin për aferën e korrupsionit. Pra Prokuroria e Shtetit nuk ka asnjë pengesë për të hetuar korrupsionin për shkak të imunitetit. Afera e djegsave është ndër të më të mëdhatë korruptive.
Vetëm dje apo pardje Veliaj i ka dorëzuar kompanisë së tij që menaxhohet nga Bruno Preseci 800 mijë euro. Kompania e krimit vazhdon të thithë si lubi para e qytetarëve për llogari të Edi Ramës dhe Erion Velisë.
Lidhur me rastin konkret duke mbështetur pa asnjë hezitim çdo zbatim të ligjit, shtoj këtu se në mënyrën më të padiskutueshme kreu i meduzës së kësaj afere, ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama. Është ai i cili deklaroi se firmoste fap, fap, fap kur nuk duhet të firmoste kurrë. Megjithatë ta ndjekim procesin.
Nëse më pyesni mua ministri i Financave nuk ka asnjë diskutim përgjegjësitë e veta qoftë me veprimin apo mosveprimin. Uroj t’u thotë shqiptarëve që si ia imponoi Edi Rama, ku ishte kur Rama i shkoi me avion për t’i imponuar firmosjen.
Por nga ana tjetër kurrë ligji mëshirë për frikacakun nuk ka. Ligji nuk e njeh mëshirën. Prapë të paktën t’u thotë shqiptarëve ku ishte kur Edi Rama i shkoi për ta detyruar për firmën”, deklaroi ai.