Banorët e fshatit Radomirë por edhe të fshatrave të tjerë përreth do të vijojnë rezistencën për të mos lejuar kompaninë që po ndërton hidrocentrale që të futet në territorin e fshatit turistik të Radomirës.
Ashtu siç deklaruan në fundjavë, banorët kanë vijuar qëndresën e tyre duke qëndruar të bashkuar kundër marrjes së burimeve ujore të Radomirës dhe dëmtimit të territorit ku është planifikuar të kalojnë tubacionet.
Edhe këtë të hënë, banorët janë bërë bashkë dhe nuk kanë lejuar mjetet e firmës për të filluar punën në drejtim të fshatit të tyre. Të kontaktuar nga ana jonë, banorë të Radomirës thanë se do të vazhdojnë të jenë qëndrestar për të mbrojtur fshatin e tyre.
Sipas banorëve, kauzës i janë bashkuar edhe shumë banorë të fshatrave të tjerë përreth pasi zhvillimi i turizmit në Radomirë përkthehet edhe për to në të ardhura ekonomike.
Banorët e Radomirës që është një nga 100 fshatrat turistik me vendim qeverie, kërkojnë mbështetjen e institucioneve për të ndaluar masakrën mjedisore të planifikuar të bëhet në fshatin e tyre. Ata kanë bërë gati edhe një peticion të cilin pritet të ja dërgojnë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe Kryeminstrit Edi Rama./btvnews.al