-Zhvillohet seanca parlamentare. Opozita kërkon ndryshimin e rendit të ditës dhe Kryeministri Edi Rama të japë llogari për rastin Ahmetaj.
-Opozitarët kërkojnë të diskutohet për kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt dhe raportin e Këshillit të Mandateve.
-Ndërkohë nga ana tjetër, mazhoranca ka kërkuar që të respektohet procedura për rastin Ahmetaj duke mos ndryshuar rendin e ditës.
Opozita pengon vijimin e seancës parlamentare
Opozita ka penguar vijimin normalisht të seancës. Deputetët demokratë kërkojnë që në rendin e ditës të futet kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.
Teksa në foltore ishte, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili duhet të raportojë për 14 Majin, deputetët opozitarë kanë rrethuar foltoren duke mos lejuar që seanca të vijojë.
Kjo ka bërë Lindita Nikollën, kryetaren e Kuvendin, që të japë 5 minuta pushim.
Seanca e kësaj të enjteje është përfshirë nga debatet mes mazhorancës dhe opozitës për rastin e Arben Ahmetaj. Opozita kërkon që të kalojë në Kuvend raporti i saj në Këshillin e Mandateve.
“Hidheni në votim kërkesën tonë për të futur në rend të ditës raportin e opozitës për kërkesën e SPAK. Rrëzojeni, por të shënohet në procesverbal se deputetët e mazhorancës i dhanë Arben Ahmetaj 4 ditë kohë për të intimiduar prokurorët dhe të prishë provat. Po bëheni pengesë e drejtësisë”, u shpreh Gazment Bardhi.
Mazhoranca nuk e ka ndryshuar rendin e ditës, me argumentin se do të zbatohet procedura për këtë rast. Raportet për çështjen e imunitetit të Ahmetajt do të kalojnë në parlament të hënën më 17 Korrik.
Po ashtu, opozitarët kanë kërkuar që të vijë në parlament edhe kryeministri Edi Rama që të japë llogari për këtë çështje.
Kreu i qeverisë nuk ka qenë i pranishëm në asnjë moment gjatë seancës. Ai ka pasur një reagim në rrjetet sociale dhe këtë për dhunën që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës.
“Je i trashë, ik mos na…”, Spiropali-Nokës: Bashkëshorti im s’ka lidhje me inceneratorët
Flamur Noka nga radhët e opozitës ka akuzuar ministren Elisa Spiropali për përfshirje në aferën e inceneratorëve dhe i ka cilësuar anëtarët e mazhorancës si ‘barbarë e hajdutë’.
Spiropali iu përgjigj duke thënë se ai dhe opozita shpifin. Ajo theksoi po ashtu se bashkëshorti i saj nuk ka asnjë lidhje me inceneratorin e Fierit.
“Bashkëshorti im ka qenë drejtori i ujësjellësit në vitin 2010 dhe nuk ka lidhje as në qiell as në tokë me inceneratorët“, theksoi Spiropali.
Spiropali-Nokës: Më vjen shujmë mirë që ka mësuar fjalën barbar, por mësymjet këtu nuk i bëjmë ne. Ju gënjeni në mënyrën më trashanike të mundshme, të gjitha shpifjet. Përgjigjien o zotëri e ke aty, s’ka asgjë që më lidh mua as me inceneratorët, as këtë e as atë, as kurrë se është shpifja më e madhe që kam dëgjuar ne jetën time. Sa i takon, ore, ik ore zotëri, ik mos na… përgjigjien do e marrësh çdo herë që shkon në zgjedhje. Bashkëshorti im ka qenë drejtori i ujësjellësit në vitin 2010 dhe nuk ka lidhje as në këtë botë e as në atë botë, as në qiell as në tokë me inceneratorët dhe ju jeni aq i trashë sa nuk e kuptoni se bëheni kaq të pabesueshëm sa edhe çështjet që mund të ngrihen nuk ua beson njeri. Jo vetëm që ju mungon vërtetësia, por edhe zgjuarsia.
Spaho: Mund të kemi shumë të meta si opozitë, por s’jemi hajdutër!
Deputeti demokrat Edmond Spaho ka kërkuar po ashtu që seanca e sotme të kishte në fokus çështjen e Arben Ahmetajt.
Ai u shpreh se Kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Spaho theksoi në fjalën e tij se opozita mund të ketë shumë të meta, por s’janë hajdutë.
“Javën e kaluar kemi pasur zhvillime shumë të rënda për këtë vend dhe kërkesa që bëri zoti Bardhi për të ardhur Kryeministri, është jo vetëm e përputhur procedurialisht si parashikon rregullorja, por ka dhe një moral politik e shoqëror. Qytetarët presin shpjegime, përse u shkarkua ministri i Brendshëm, së dyti kërkohet arrestimi i krahut të djathtë të Ramës dhe kryeministri nuk vjen t’japë shpjegime.
Krahu i djathtë i Ramës ja ka mbathur në arrati, a ndodhin këto ndonjë vend normal?! Duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të zhvilloheshin zgjedhje të parakohshme. Jo vetëm që s’vjen, por këta flasin dokrra a thua se me shkopa bejsbolli dolën përfaqësuesit e opozitës. A thua se u shkarkua ministri i Brendshëm i opozitës, a thua se ka ikur krahu i djathtë i kreut të opozitës dhe akuzohet për vjedhje. Ne mund të kemi shumë të meta si opozitë, por hajdutër nuk jemi!”, deklaroi Spaho.
“Ahmetaj ka intimiduar dëshmitarë, tentoi të prishë provat”, Bardhi: E tha Dumani në mbledhje…
Pas debateve të shumta në seancë plenare, ku opozita kërkoi pjesëmarrjen e Kryeministrit për të folur në mënyrë urgjente për rastin e Ahmetaj, Gazment Bardhi ka zbuluar një deklaratë të kreut të SPAK Altin Dumani në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Sipas Bardhit, Dumani është shprehur se Ahmetaj ka intimiduar dëshmitarë dhe ka tentuar të prishë prova që e implikojnë atë me aferën e inceneratorëve. Kjo ishte arsyeja, thekson Bardhi, që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi arrestimin e menjëhershëm të tij.
Gazment Bardhi-Nikollës: Ju me ne anëtarët jemi dëshmitarë që Arben Ahmetaj ka tentuar të intimidojë dëshmitarë dhe ka prishur prova dhe kjo nuk mund të ndodhë, në keni shprehur vullnet për t’i hequr imunitetin, nuk ka asnjë arsye për t’u vonuar. Ta dëgjojë dhe media, ajo që tha Altin Dumani në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, prej një jave deklaroi drejtuesi i Prokurorisë Arben Ahmetaj me fuqinë e tij si ish-deputet, si ish-ministër, si ish-zëvëendës kryeministër ka ka intimiduar dhe ka tentuar të prishë prova dhe SPAK kërkon arrestimin e tij të menjëhershëm për të shmangur intimidimin e dëshmitarëve dhe prishjen e provave. Këta zotërinjtë që janë këtu duan ekzaktësisht këtë, duan që t’i japin kohë Ahmetajt të zhdukë provat, të negociojë me Edi Ramën. Kjo nuk ka për të ndodhur, Edi Rama të vijë këtu e të tregojë se çfarë ka folur brenda këtyre 48 orësh me Arben Ahmetajn. Si po shkojnë negociatat me dorëzimin e kontrolluar, siç ka bërë deri më sot me të gjithë prej atyre që vendos t’i lëshojë në një moment të caktuar. Zonja kryetare thirr Edi Ramën dhe t’i hiqet imuniteti Arben Ahmetajt, kjo është ndihmë për drejtësinë.
Debate në Kuvend, deputetët e opozitës bllokojnë foltoren
Deputetët e opozitës kanë kërkuar që kryeministri Edi Rama të vijë në seancë parlamentare këtë të enjte. Ata kanë kërkuar që ai të japë llogari për kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Opozita kërkoi që të kalojë edhe raporti i Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të Ahmetajt. Por kjo është kundërshtuar nga mazhoranca.
“Sot nuk mund të votojmë një gjë që është pa lëndë dhe antiligjore”, tha Nikolla.
Kjo ka shkaktuar reagimin e deputetëve të PD-së. Gjatë kohës që kryeparlamentarja Lindita Nikolla po i jepte mandatin deputetit Arkend Balla, opozita bllokoi foltoren.
Felaj e quajti ‘palaço’, Bardhi nuk e kursen: Mbylle gojën moj hajdute, gjobaxhie biznesesh!! Yt shoq ka marrë 1.5 mln euro…
Seanca plenare e kësaj të Enjteje ka nisur me debate mes opozitës e mazhorancës sa i takon dorëheqjes së Rrahman Rrajës dhe çështjes së Arben Ahmetajt.
Gazment Bardhi ka riktheksuar se opozita nuk heq dorë nga kërkesa për një seancë urgjente me Kryeministrin të pranishëm. Ai hodhi akuza për korrupsion për disa socialistë e mes tyre përmendi Ermonela Felajn. Kjo e fundit e quajti “palaço”.
Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi nuk e kurseu replikën. “Hajdute, gjobaxhie që ke pushtuar Prokurorinë e Tiranës”, iu drejtua ai Felajt.
Pjesë nga debati në Kuvend:
Gazment Bardhi: Ju nuk merrni as guximin ta pyesni kryeministrin, a vjen apo nuk vjen në seancë. Ne nuk heqim dorë nga kërkesa, nuk është përgjegjësi e Rrahman Rrajës, pa mbështetjen e Ramës, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri dhe çdo ministër nuk miraton dot 17 vendime brenda ditës, po e keni lexuar dosjen e ardhur nga SPAK-u ju, ku ka procedurë aty? Arben Ahmetaj nëse do të mbrohet, të mos arratiset, të tregojë bashkëpunëtorët në aferën e tij dhe të mos shëtisë nga njëri aeroport në tjetrin. Ke marrë një raport zonjë, keni fut jashtë procedure ligjin për kanabisin, nuk është fare në kaledar, ça procedure na tregoni ne?! E keni miratuar në çdo komision! Ku vini këtu ju e bëni teatër, secili prej jush e ka lexuar dosjen, a nuk ju vjen turp?! Në komision hetimor u dolët garant atyre mafiozëve të inceneratorëve e që sot po përballen me drejtësinë. Nga Damian Gjiknuri te Ermonela Felaj i nxorrët të gjithë pa përgjegjësi, por ja që paska përgjegjësi! Vetëm në Inceneratorin e Tiranës, e keni lexuar dosjen, paradite pa dale procedura Klodian Zoto e çon 220 mln euro.
Ermonela Felaj: Palaço, palaço!!
Gazment Bardhi: Shiko, palaço mua më ka thënë kryemafiozi jot dhe kur vjen nga një hajdute si ti, nga një gjobaxhie që ke pushtuar Prokurorinë e Tiranës për t’i vënë gjoba biznesit. Yt shoq vetëm në çështjen e rimbursimit të TVSH-së ka marë rryshfet 1.5 mln euro nga 4 biznese. Je një hajdute, një gjobaxhie, ti je pjesë e dosjes, ke pushtuar Prokurorinë e Tiranës për t’u vënë gjoba bizneseve. Ti dhe një pjesë prej tyre!! Flisni ju për procedura, mbylle moj gojën! Mbylle moj hajdute gojën!
“Ahmetaj”, Manja-opozitës: Mos na e merrni heshtjen për dobësi, respektojmë drejtësinë
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë fjalës së tij në Kuvend, iu drejtua deputetëve opozitarë ku tha se heshtja e mazhorancës në lidhje me çështjen Ahmetaj ka të bëjë me respektin për drejtësinë. Prandaj ai i kërkoi kundërshtarëve politikë që të mos e marrin atë për dobësi.
“Heshtja jonë sot ka të bëjë me respektin për drejtësinë, por jo me respektin për një pjesë të këtyre kolegëve këtej sepse kur të vijë puna për të na bërë moral për ndershmërinë, politikën dhe drejtësinë, e juaja këtej është fundi i parlamentarizmin”, u shpreh Manja.
Më tej ministri i Drejtësisë shtoi se, “Kjo që bëni ju sot të nderuar kolegë është shërbimi më i mirë që i bëni anti-shtetit, që i bëni krimin, sepse këtë porosi keni marrë nga krimi dhe mesazhin e krimit kërkoni të përcillni sot në këtë sallë parlamenti. Ndaj zonja kryetare, drejtësia të bëjë punën e vet, ky parlament duhet të merret me punën që i takon. Të merremi me rendin e ditës sepse retorika e krahut të djathtë këtu, i shërben krimit dhe vetëm krimit, i shërben mbulimit të të vërtetës dhe nuk e ndihmon drejtësinë të bëjë punën e vet. Mos e merrni heshtjen tonë për dobësi sepse është respekt për drejtësinë dhe ligjin”.
‘Shpërthen’ Dashnor Sula: Të na vijë turp të gjithëve bashkë, jemi kthyer në barsaleta!
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, u shpreh se si deputetëve të mazhorancës edhe opozitës duhet t’u vijë turp për situatën në parlament. Duke iu drejtuar kundërshtarëve të tij politikë, Sula i pyeti duke i thënë se në burg janë kolegët socialistë.
“Këtu është për të qarë dhe për të qeshur. Nuk kam ndërmend të diskutoj dhe flas për procedurë. Dy fjalë do i them që ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët. Ore miqtë e mi, keni vjedhur ju apo kemi vjedhur ne? I keni në burg ju apo i kemi në burg apo ne? Ore ia keni dhënë popullit në gojë ju, apo ua kemi dhënë ne? Çfarë ka ngelur këtu tani? Vetëm të heqim pantallonat këtu në mes të parlamentit. Kjo ka ngelur këtu. Ka turp më të madh se kaq? Të na vijë turp edhe ju edhe ne se ça po ndodh në këtë vend. Të na vijë turp ju dhe ne bashkë sepse jemi kthyer në barsaleta. Çfarë nuk qarkullojnë në TikTok dhe çfarë nuk na thonë. Situata është aq e turpshme sa nuk ka ku të shkojë”, u shpreh Sula.
Po ashtu, Sula u shpreh se mazhoranca gjen gjithmonë artifica dhe justifikime për t’u dhënë mundësi personave që duhet të japin llogari që të fshehin gjurmët dhe të zhduken.
“Për sa i përket raportit kur doni ju si mazhorancë për të futur një projektligj brenda 24 orëve e përgatisni raportin, gjithçka dhe i sillni. Keni 3 raste. Rasti i Saimir Tahirit brenda 24 orëve erdhët ia hoqët imunitetin. Rasti i sotëm keni 1 javë, ça doni më shumë. Keni rastin e zonjës Xhaçka 3-4 muaj që nuk bëni raport. Gjeni artifica, gjithmonë justifikime vetëm për t’u dhënë mundësi personave të interesuar për të dhënë llogari që të fshehin gjurmët, për t’u zhdukur. Ju nuk e bëni sepse ju dhimbset procedura. Nuk po kërkojmë të shkelet procedura. Procedura të bëhet, të respektohet. Nuk thotë rregullorja e vendit që duhen patjetër 7 ditë, 10 ditë. Ma jepni shpjegimin pse u shty dy herë mbledhja? U shty dy herë sepse zotëria në fjalë nuk erdhi. Është faji jonë? Urojmë që të vijë dhe të japë shpjegime. Problematikë më të madhe a ka? Deputetë në burg, ministra në burg”, tha Sula.
Acarohet Noka në Kuvend: Keni fytyrë e zgërdhiheni?! S’ka seancë pa Ramën, ky është moment dramatik
Flamur Noka nga radhët e PD ka kundërshtuar seancën e sotme plenare pasi sipas tij i pranishëm duhet të jetë Kryeministri Edi Rama. Noka e cilësoi situatën aktuale politike si një moment dramatik dhe akuzoi mazhorancën se po mbron një qeveri të zhytur kokë e këmbë në vjedhje.
“Tani se çfarë ka ndodhur në javën e kaluar dhe këto ditë, e sheh çdo shqiptar dhe çdo ndërkombëtar, a ka gjë më të rëndë dhe të vish sot e t’ju shohësh ju që buzëqeshni dhe të duartrokisni zonjën që mbron qeverinë që është e zhytur nga koka te këmbët në vjedhje?! Kemi vite që ua kemi thënë që inceneratori është mega vjedhja e shekullit, keni fytyrë e qeshni dhe sot! Ka turp më të madh, sot në ditën më dramatike ajo karrige është bosh.
Cili është raporti që keni ju me ligjin?! Kaloni gjërat duke u zgërdhirë… Jeni apo s’jeni përfaqësues të qytetarëve, si mund të ketë seancë, mos vallë ka thyer këmbën një lopë në Borizanë?! A e kuptoni se me këtë të qeshur tregoni se përfaqësoni vetëm hajdutët. Një Kryeministër dhe një qeveri në çdo vend demokratik do të kishte ikur nga politika, s’ka seancë pa kryeministrin, harrojeni. Iku zëvëndës kryehajduti, por kryehajdutët janë këtu. Këtu hajdutë dhe përfaqësues të qytetarëve bashkë s’mund të kenë, të babëzitur, monstra që vetëm vjedhin e vjedhin e përfshihen në krime, jo, jo!”, tha Noka nga foltorja e Kuvendit.
Spiropali-opozitës: Nuk na kompleksoni dot në raport me drejtësinë! Hajdutët të shkojnë atje ku e kanë vendin
Seanca e sotme parlamentare ka nisur me debate ndërmjet opozitës dhe mazhorancës sa i takon çështje së Arben Ahmetaj. Ministrja Elisa Spiropali i është drejtuar deputetëve të PD-së duke theksuar se këta të fundit nuk mund të kompleksojnë raportin e qeverisë me drejtësinë.
Ajo u shpreh se procedurat duhen respektuar dhe në rast se i akuzuari shpallet fajtor atëherë të shkojë atje ku e ka vendin
“Nëse ka një çështje për të cilën nuk na kompleksoni dot është raporti ynë me drejtësinë. Qetësohuni, qetësohuni! Nëse doni që t’ju marr shembuj të pafund të raportit tonë qytetar, institucional dhe ligjor me drejtësinë, qetësohu, qetësohu… ky është rasti! Sigurisht ju jeni mësuar me kryeministra që për drejtësinë kanë folur, nuk kanë vepruar. Kryeministri Rama nuk komenton mbi drejtësinë, nuk e përdor politikisht drejtësinë, nuk e përdor si armë, si hanxhar, nuk bën populizëm dhe politikë me drejtësinë, por lë institucionet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, duke besuar deri në fund që ato institucione do përdorin ndërgjegjen e tyre, profesionalizmin e tyre për të bërë drejtësi, jo politikë!
Ne këtë besim kemi dhe të gjitha garancitë ligjore, edhe në Kuvend ne kemi bërë një ndarje njëherë e mirë nga politika, që i shpall njerëzit fajtorë para se ata të gjykohen, që akuzon kundërshtarët politikë dhe u bën gjyqin publikisht pa fakte, por ndërkohë nuk i çon aty ku duhet, sepse ruan ekuilibrat. Ne e kemi bërë këtë ndarje Gazi dhe me gjithë respektin që kam për ty, se besoj ndryshon nga ata që ke pas vetes, ta bëjmë njëherë këtë ndarje. Unë fjalën do e marr sa herë që gjykoj se e drejta këtu po cenohet. Në raport me kryeministrin, nuk ka asnjë gojë, apo argument, që mund ta bëjë atë pis në raport me drejtësinë. Institucionet e drejtësisë që i sulmoni sa herë ju intereson, e bëni ju për t’i kompleksuar ata. Për këtë e kemi votuar reformën në drejtësi, të respektohen procedurat dhe hajdutët të shkojnë atje ku e kanë vendin, meqë hajduti bërtiti kapeni hajdutin”, u shpreh Spiropali.
Çështja Ahmetaj, Berisha-mazhorancës: Duhet t’i kërkoni falje shqiptarëve. A keni cipë shtetari?
Kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend kërkoi që të flitet për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.
Ai iu drejtua përfaqësuesve të mazhorancës dhe tha se duhet të dalin kokë ulur dhe t’i kërkojnë falje shqiptarëve.
“Figura e dytë e narkoqeverisë është arratisur dhe ky është raporti juaj me drejtësinë. Ky është akti më i turpshëm. Pasi ka vjedhur si gopsek pasi ka mbushur baulet, ia mbath, kryen aktin më të ulët, më të turpshëm të një hajduti ordiner. A jeni të vetëdijshëm se çdo të thotë kjo për një zyrtar, se çdo të thotë kjo për një ministër? Si reagoni në këtë mënyrë? Nuk dua t’ju them se jeni Ahmetër sepse nuk është e lehtë të hedhësh akuzën e fajit në kolektiv, por mos harroni se faji kolektiv ekziston në doktrinë. Faji kolektiv në këtë rast është që në vend që të ndalemi të diskutojmë për këtë ngjarje që tejkalon çdo përmasë, një njeri që ia servirët shqiptarëve si njeriun e supersuksesit, si zëvendësin e Ramës, ikën në mënyrën më të turpshme dhe e informoni që të ikë. 4 orë para se t’i vinte parlamentit njoftimi ai mori lajmin dhe ishte në Kakavijë. E përcolle ti Damian, apo jo atje? Më thuaj këtu, se dikush e përcolli atë. Pse reagoni në këtë mënyrë? Nuk e di, por po të pyes. I the apo jo atij, Taulant Rraja, e njoftove apo jo që të ikë? Në vend që të dilni këtu kokë ulur, të kërkoni secili prej jush që i keni dhënë votën të falur shqiptarëve. A keni ju moral, cipë shtetari, zyrtari, përfaqësuesi?”, tha Berisha.
Debat në parlament, Bardhi: Rama ka në burg një grup parlamentar, po formon edhe një tjetër
Opozita kërkon në seancën plenare këtë të enjte që Kryeministri Edi Rama të vijë dhe të japë llogari për Arben Ahmetajn dhe Rrahman Rrajën. Gazmend Bardhi u shpreh se Rama e ka në burg një grup parlamentar dhe po formon edhe një tjetër. Sipas tij, për rastin Ahmetaj ka një përgjegjësi politike dhe është e përfshirë e gjithë qeveria.
“Nuk mund ta kalojë në heshtje duke bërë sikur po zgjidh hallet e gjithë botës ndërkohë që nuk ka zgjidhur hallet e korrupsionit të vet qeveritar. Ka formuar një grup parlamentar aktualisht në burg, po formon edhe një grup tjetër. Të na sqarojë qoftë rastin e Krujës dhe aferës së inceneratorëve. Nuk është përgjegjësi individuale e Arben Ahmetajt ajo që ka sjellë prokuroria. Ai mban përgjegjësi penale, por ka një përgjegjësi politike. Është e gjithë qeveria e përfshirë në aferë. Shoh Elisën që ngre dorën, i sugjeroj të mos e marrë fjalën. Ajo është një aferë që përfshin Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Të lërë kafet në zyrë dhe negociatat në distancë me Arben Ahmetajn. Pas asaj kalojmë tek shqyrtimi i kërkesës për ndryshim të rendit të ditës”, tha Bardhi.
Bushka kundërshton kërkesën e Bardhit: Rasti i Ahmetaj i takon drejtësisë, duhet zbatuar procedura
Kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Klotilda Bushka ka kundërshtuar kërkesën e Gazment Bardhit për një seancë plenare ku Kryeministri i vendit sipas tij të japë llogari për rastin e Ahmetajt dhe dorëheqjen e Rrahman Rrajës.
Kryeministri i vendit sipas tij të japë llogari për rastin e Ahmetajt dhe dorëheqjen e Rrahman Rrajës.
Sipas Bushkës, çështja e Ahmetajt i takon drejtësisë dhe Kuvendi duhet të respektojë ligjin duke zbatuar afatet e procesit i cili sipas saj kalon në disa faza.
“Bërtisni se e keni zakon, punë e madhe fort! Ju dëgjoni, kijeni mendjen se e shpjegoi kryetarja e Kuvendit. Ju s’dëgjoni as njëri-tjetrin! Procesi nuk është politik, është procedurial dhe duhet të mbizotërojë interesi i drejtësisë, jo interesi politik i ditës. Ne kemi bërë një proces në Këshillin e Mandateve, kemi një opinion, do duhet të bëhet një raport dhe neni e normon qartë këtë proces, brenda dy javëve hartohet një raport për seancë plenare. Të hënën është seanca dhe ka një logjikë pse, procedura nënkupton që ka një garanci proceduriale të njohur, e drejta për t’u dëgjuar e deputetit, kështu respektohet shteti i së drejtës. Përndryshe ne shkojmë ndesh me interesat e drejtësisë, a kemi thënë të ndihmojmë drejtësinë? Nuk e tregoni zonja Tabaku sepse dje kolegët tuaj ishin gati pa dëgjuar palët dhe kjo e cenon drejtësinë. Do duhet të zbatojmë procedurën, të veprojmë me shpejtësi duke respektuar të drejtat kushtetuese, prandaj kjo është një kërkesë me sfond politik. Ne një opinion kemi dhënë, s’kemi kundërshtim. Por ka disa garanci kushtetuese që Kuvendi duhet t’i zbatojë, ne s’jemi Gjykata e as Prokuroria”, tha Bushka.
Bardhi kërkon të pezullohet seanca parlamentare: Rama të vijë të japë llogari për Ahmetajn dhe Rrajën
Zhvillohet këtë të enjte seanca parlamentare.
Gazment Bardhi i ka kërkuar kryeparlamentares Lindita Nikolla që kryeministri Edi Rama të vijë në seancë plenare për të dhënë shpjegime për rastin e Arben Ahmetajt dhe dorëheqjen e Rrahman Rrajës.
Për këtë arsye kërkoi që të pezullohet seanca plenare dhe kryeministri të japë llogari para deputetëve.
“Kërkojini kryeministrit të vijë në seancë plenare. Është e papranueshme që Rama fshihet pas Rrahman Rrajës për rastin e Krujës dhe Arben Ahmetajt për inceneratorët. Të dyja janë thelbi i qeverisjes së një njeriu. Është në detyrimin e tij dhe të drejtën tonë që të pezullohet seanca dhe kryeministri të japë llogari”, tha Bardhi.