Një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë i kanë dërguar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla një kërkesë për mocion me debat në Parlament në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Sipas tyre “kërkesa e SPAK për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së ish zv/ministrit Arben Ahmetaj dëshmon edhe një herë që kjo aferë është aq e madhe, sa përfshin edhe organet e qeverisë deri në majën e kupolës ku përfshihen edhe ministra dhe zyrtarë të tjerë dhe kryeministri Edi Rama, pa urdhërin e të cilit kjo aferë nuk do ishte zbatuar“.
Ata e cilësojnë si jo të rregull seancën e sotme, ku sipas tyre u zhvillua në shkelje të Kushtetutës, e cila në Nenin 73, pika 4 e saj, parashikon diskutim si dhe votim të hapur me qëllim që opinioni publik të vihet në dijeni mbi qëndrimet e secilit deputet.
Deputetët që mbështesin Berishën kërkojnë mbledhjen “brenda ditës së premte 14.07.2023, të Konferencës së Kryetarëve dhe futjen si çështje e parë në rendin e ditës në seancën plenare të dt 20.7.2023, të mocionit me debat rreth skandalit të inceneratorëve ku nga informacionet e bëra publike, përveç ish zv. kryeministrit Ahmetaj janë të përfshirë edhe ministra të tjerë aktualë, ish-ministra, deputetë e funksionarë të tjerë të lartë“.
Po ashtu sqarojnë se çdo deputet të ketë të drejtën e diskutimit 10 minuta dhe se lista e folësve për mocionin me debat të fillojë detyrimisht me deputetët iniciues./btvnews.al