E premte, 22 Nëntor, 2024

Fushata për kreun e PD, Lulzim Basha ndalet në Dibër: Dosja ‘Ahmetaj’ na tregoi se duhet një paketë e re ligjore

Kandidati për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar fushatën dhe takimet me demokratët. Këtë të hënë, Basha u ndal në Dibër ku fokusi i fjalës së tij ishte lufta kundër korrupsionit.
Në një postim në mediat sociale, Basha propozon se duhet një paketë e re ligjore, pasi siç thotë dosja “Ahmetaj” tregoi se SPAK-ut duhet hequr çdo pengesë për të pasur dorë të lirë.
Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë. Mënyra më e thjeshtë për të hetuar një çështje ku dyshohet se një figurë, në këtë rast politike është përfshirë në afera korruptive, ndiq paranë. Shiko çfarë shpenzon. Shiko pronat e tij dhe familjarëve të tij.
Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo. Dosja e Ahmetajt, ku shfaqej se si qeveria vepronte si organizatë kriminale, tregoi dhe njëherë se duhet një paketë ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, duke nisur me: Hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike; Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare; Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë deri tek kryeministri;
Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve. Ajo që i dhemb më shumë botës së krimit dhe të korruptuarve është sekuestrimi i pasurive. Aleanca Qytetare për Demokracinë do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet që presin shqiptarët duke mundësuar: Listat e hapura; Vetting-un e politikanëve; Votën e diasporës; Kufizimin e mandateteve; Zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, fuqizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike. Ky është misioni i ri i Partisë tonë! Një parti që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që do ndërmarrim për Shqipërinë“, shkruan Basha./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit