E enjte, 21 Nëntor, 2024

Apeli lë në burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako

Vangjush Dako do të qëndrojë në qeli. Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO për Dakon, bazuar në akuzën e shpërdorimit të detyrës në të paktën dy raste gjatë ushtrimit të detyrës. Masat e sigurisë mbetën të pandryshuara edhe për të arrestuarit e tjerë edhe pse ata së bashku me Dakon kërkuan masë më të lehtë sigurie duke mohuar akuzat e SPAK.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Daniela Shirka, sot më 18.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 31 akti, datë 10.07.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimet e personave nën hetim V.D., F.E., M.S.(P.), F.H., F.F., A.B., ndaj vendimeve nr. 57, datë 06.06.2023 dhe nr. 61, datë 08.06.2023 (mbi caktimin e masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personin nën hetim V.D.

– Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim F.E. dhe F.H.

– Miratimin e vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim M.S.(P.), F.F. dhe A.B“, njofton SPAK.

SPAK akuzon Vangjush Dakon dhe 9 persona të tjerë, mes tyre ish-zyrtarë të Bashkisë Durrës se shpërdoruan detyrën dhe falsifikuan dokumente, në lejimin e ndërtimit të një pallati 11-katësh pa asnjë dokumentacion, si dhe në llogaritjen gabim të fondit limit të një tenderi në 2014, të cilit iu rrit vlera me 10 fish, duke i shkaktuar Bashkisë një dëm prej 18 milionë Lekë. Në kërkim për këtë dosje janë edhe 3 persona të tjerë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit