Lulzim Basha, kandidati për kreun e Partisë Demokratike, kërkon nga SPAK që të vijojë hetimet dhe të vendosen para drejtësisë të gjithë ata që janë të përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Në një postim në mediat sociale, pas një takimi me demokratët në Laç, Basha shkruan se lufta kundër korrupsionit dhe pastrimi i politikës janë primare.
POSTIMI I PLOTË:
Përballja pakompromis me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e emigrantëve janë udhërrfyesi ynë në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë.
Një Shqipëri e çliruar nga korrupsioni që kërcënon mirëqenien e familjeve shqiptare, i cili është ulur këmbëkryq në zyrat e qeverisë, siç dëshmon afera e Inceneratorëve, është prioritet sot i çdo qytetari të këtij vendi.
SPAK nuk duhet të ndalet, por duhet t’i shkojë deri në fund aferës prej 430 milionë euro të Inceneratorëve, sepse njeriu që mban bashkë fijet e krimit dhe korrupsionit është Edi Rama. SPAK nuk duhet të hezitojë të çojë para drejtësisë këdo që ka abuzuar me besimin e shqiptarëve me paratë e tyre.
Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo.
Të gjithë pa përjashtim duhet t’i nënshtrohen hetimit pasuror dhe të lidhjeve me krimin.
E jo vetëm kaq por duhen krijuar mekanizmat ligjorë dhe mbështetja e pakushtëzuar për SPAK që të bëhet:
🔘 Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë deri tek kryeministri;
🔘 Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare apo janë investuar kudo nëpër botë duhet t’u kthehen shqiptarëve.
Partia Demokratike mund dhe do ta sjellë këtë ndryshim, duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet të cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë./btvnews.al