Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar takimet për zgjedhjet e 29 Korrikut. Në takimin e zhvilluar ditën e sotme në Tiranë, Basha ka komentuar dhe faktin se Bashkimi Evropian ka pezulluar fondet për bujqësinë për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Në një postim në mediat sociale, Basha shkruan se SPAK duhet të hetojë pa humbur kohë skemat korruptive. “E zhytur në skandale korruptive kjo mazhorancë arrin deri në dhunimin e parlamentarizmit vetëm për të kontrolluar edhe Akademin e Shkencave”, shton ai.
POSTIMI I PLOTË:
Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve! Ky duhet të jetë hapi i dytë i domosdoshëm pas hetimit dhe dënimit të personi që ka abuzuat me fondet publike. Është e domosdoshme të kryhet hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare dhe i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë tek kryeministri.
Pezullimi i granteve për bujqësinë të programit IPARD nga ana e Komisionit Europian tregon se si kjo qeveri nuk ndalet se abuzuari as me fondet e BE. SPAK duhet të hetojë pa humbur kohë skemat korruptive. E zhytur në skandale korruptive kjo mazhorancë arrin deri në dhunimin e parlamentarizmit vetëm për të kontrolluar edhe Akademin e Shkencave.
Të gjithë politikanët duhet t’i nënshtohen vetting-ut, hetimit të pasurive të tyre dhe familjarëve të tyre si dhe marrëdhënieve me persona të botës së krimit. Shqipëria e ka jetike ndryshimin dhe këtu nuk bëhet fjalë për ndryshim karrigesh, por ndryshimin e sistemit dhe rritjen e kontrollit dhe llogaridhënies. Krahas mbështetjes për SPAK, për të hetuar deri në fund aferën korruptive të Inceneratorëve, ku është zhytur e gjithë qeveria dhe aferave të tjera që janë nën hetim – duhet të rrisim fuqinë e qytetarëve në vendimmarrje dhe të Parlamentit në kontrollin e qeverisë.
Për këtë arsye: Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit; Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti; Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë; Zgjedhjen e drejpërdrejt të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve.
Aleanca Qytetare për Demokracinë do të formësojë një mazhorancë reformuese duke nisur me: Listat e hapura; Vetting-un në politikë; Kufizimin e mandateve; Votën e diasporës. Ne duhet të bëjmë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika!/btvnews.al