Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, nga foltorja e Kuvendit foli lidhur me bllokimin e fondeve të IPARD 2 nga Komisioni Evropian. Sipas saj, programi IPARD vazhdon dhe qeveria është në bashkëpunim të plote me BE-në, për të përmirësuar standardet.
Krifca hodhi poshtë akuzat se fondet e BE janë ndërprerë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për hetime që lidhen me korrupsion në AZHBR.
“Dje nuk ka pasur një lajm të ri, lajmi se AZHBR është vënë nën hetim nga struktura e BE-së për parandalimin e mashtrimit, veçanërisht nga OLAF, është një lajm i bërë publik që në Shkurt 2021 kur ata erdhën në zyrat tona. I vetmi lajm i ri ishte njoftimi i pezullimit të pagesës së radhës nga Drejtoria e Përgjithshme e Bujqësisë në Bruksel me synimin për zbardhjen e rrethanave. Në atë letër nuk përmendet fjala korrupsion”, deklaroi ajo.
Ministrja u shpreh se ministria është më shumë se kushdo e interesuar për të zbatuar dhe për të korrigjuar veprimtarinë e institucionit
“Nuk mund të parashikoj apo komentoj asnjë nga këto rrethana, por mund të siguroj se sistemi i menaxhimit të fondeve dhe procedura e ndjekur nga AZHBR janë të akredituara nga BE.
Nëse këto procedura të verifikuara shkelen për shkak të zhvillimeve të ndryshme, ne jemi më shumë se kushdo të interesuar për zbatimin dhe korrigjimin e veprimtarisë së institucionit. Programi nuk është ndalur, vijon, autoritetet zbatuese janë në punë dhe janë në partneritet me strukturat e BE-së për të plotësuar çdo kusht që vendoset.
Programi nëpërmjet strukturave të akredituara sigurisht që kërkon përmirësime të vazhdueshme për të përballuar sfidat e bujqësisë në një sektor që ka përparuar shumë, por ka edhe sfida të mbartura informaliteti. Ky program jetik për vendin, të mos bëhet objekt i konsumit politik të ditës pa llogaritur pasojat”, deklaroi ministrja./btvnews.al