E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Basha: Pasi kanabizuan Shqipërinë tani e legalizojnë. SPAK të ndalë përdorimin për grupet kriminale

Nga Fushë-Kruja ku zhvilloi një takim me demokratët në kuadër të zgjedhjeve të 29 Korrikut, Lulzim Basha ka reaguar për miratimin e ligjit që lejon mbjelljen e kanabisit për qëllime mjekësore.

Basha në një postim në mediat sociale, shkruan se legalizimi i kanabisit bëhet për bandat kriminale dhe i bën thirrje SPAK që ta ndalojë këtë gjë.

POSTIMI I PLOTË

Përparësia e kësaj qeverie duket se është kanabisi. Pasi nisi qeverisjen duke kanabizuar Shqipërinë, tani po e legalizon atë. Kjo është përgjigja e saj për të rinjtë që po emigrojnë masivisht, apo studentët e mjekësisë që kërkon t’i “burgosë” me ligje anti-kushtetuese.

Pas legalizimit të vjedhjes përmes Inceneratorëve, check-up, tenderave dhe koncesioneve korruptive tashmë i duhet legjitimimi i kanabisit për llogari të klientëve të pushtetit. SPAK duhet ta ndalë përdorimin e këti ligji për nevoja të grupeve kriminale, duke hetuar çdo kompani guackë të interesuar për këtë industri, pasi pronarët e vërtet nuk do të shfaqen asnjëherë.

Një Shqipëri e çliruar nga korrupsioni është prioriteti i çdo qytetari të këtij vendi.

Sot Shqipëria ka nevojë për pastrimin e politikës, ndarjen me krimin dhe largimin nga sistemi të politikanëve të korruptuar. Kjo është plotësisht e mundur përmes vetting-ut në politikë. Nuk është e lehtë, por është dëshmia e parë e cila ndan ata që e kanë frikë, me ata që s’kanë asgjë për të fshehur.

Partia Demokratike është gati të ndërtojë një aleancë gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët shoqërorë, për një projekt ndryshimi që nis me zgjidhjen e çështjeve që mbajnë të bllokuar sistemin politik dhe atë ekonomik: Listat e hapura; Vetting-un në politikë; Kufizimin e mandateve; Votën e diasporës; Zgjedhjen e Presidentit nga populli./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit