E premte, 29 Nëntor, 2024

Marrëveshja për transferimin e të burgosurve nga Britania, ministri: Do vijnë me pëlqimin e tyre por…

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka shpjeguar detajet mbi marrëveshjen për transferimin e të burgosurve nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë.

Me anë të një videoje në mediat sociale, Manja deklaron se marrëveshja e Majit të këtij viti mundëson transferimin e të dënuarve shqiptarë në Britani drejt vendit tonë. Ai shton se çdo i burgosur do transferohet me pëlqimin e tij por do ketë dhe raste përjashtimore.

“Të mërkurën e 19 Korrikut, qeveria miratoi marrëveshjen zbatuese mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për transferimin e personave të dënuar. Baza e kësaj marrëveshje janë parimet e humanizmit, të riintegrimit, të risocializimit të të dënuarve shqiptarë në shoqërinë shqiptare. Kjo marrëveshje pason atë të vitit 2021 që është ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë e po ashtu në Mbretërinë e Bashkuar. Dua të jem i qartë për opinionin publik dhe dua të marr kohën e nevojshme për të sqaruar detajet kryesore të kësaj marrëveshje.

Kjo marrëveshje ka si bazë dhënien e pëlqimit të personave të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar të cilët dëshirojnë që të vijnë ta vuajnë pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri, pranë familjarëve të tyre.

Në zinxhirin e institucioneve që përfshihen në këtë proces sipas kësaj marrëveshje përveç ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Burgjeve dhe homologëve tanë në Britani është edhe Gjykata shqiptare e cila do të bëjë njohjen dhe konvertimin e dënimit të dhënë nga gjykata britanikë për çdo të dënuar sipas legjislacionit shqiptar për të gjitha efektet e dënimeve të dhëna nga drejtësia në Britani. Nuk do të ketë shmangie nga dënimi për asnjë person që transferohet nga Britania në Shqipëri!

Është shumë e rëndësishme ka të bëjë me faktin se këta të dënuar nuk do të vijnë të gjithë përnjëherë. Ky proces do të bazohet nga vendimet e konvertimit që do të bëjnë gjykatat shqiptare, por edhe nga kapacitetet e lira që ne do të kemi me institucionet tona për vuajtjen e dënimit. Po, për efekt të zbatimit të marrëveshjes sa i takon aspektit financiar, pavarësisht se gjykatat mund të japin vendime individuale në kohë të ndryshme, ne kemi rënë dakord me palën britanike që ata do të vijnë në grup. Dhe sapo të vijë grupi i parë, autoritetet e burgjeve do të marrin pagesat për grupin e parë të të dënuarve që do të transferohen e më pas ministria e Drejtësisë do t’i hapë rrugë grupit tjetër, gjithmonë në varësi të vendimeve që do të japin gjykatat.

Dua të sqaroj se pjesë e kësaj marrëveshjeje janë të dënuarit shqiptarë që japin pëlqimin për të ardhur në Shqipëri, por marrëveshja parashikon edhe mosdhënien e pëlqimit. Janë ato raste kur drejtësia britanike përveç dënimit me burgim ka shqiptuar edhe dëbimin nga Britania e Madhe. Në këto raste, po! Kjo është e shprehur edhe në marrëveshjen e 2021-t, por edhe atë që kemi arritur në Maj të vitit 2023 dhe që tashmë është dokument zyrtar dhe i aksesueshëm për publikun pasi është botuar dhe në Fletoren Zyrtare”, tha Manja./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit