Rritja e çmimeve të drithërave pak pas largimit të Rusisë nga marrëveshja që i mundësonte Ukrainës t’i transportonte drithërat përmes Detit të Zi, “potencialisht kërcënon përballjen e miliona njerëzve me uri”, kanë thënë Kombet e Bashkuara.
Rusia është larguar nga marrëveshja për drithërat të hënën, duke thënë se kërkon që t’i përmirësojë kushtet për eksportet e saj të produkteve ushqimore dhe plehrave për bujqësi, dhe është ankuar se drithërat ukrainase nuk janë dërguar te shtetet e varfra. Çmimet e grurit kanë shënuar rritje 8.2 për qind të mërkurën, dhe tani një ton shitet për 253.75 euro, ndërsa çmimet e misrit janë rritur për 5.4 për qind.
“Çmimet e larta do t’i vërejnë më së shumti familjet në vendet në zhvillim”, ka thënë shefi i OKB-së për Ndihma, Martin Griffiths, duke shtuar se rreth 363 milionë njerëz në 69 shtete kanë nevojë për ndihmë humanitare.
“Disa do të uriten, disa do të dërrmohen, disa edhe mund të vdesin si pasojë e këtyre vendimeve”, ka thënë ai. Marrëveshja për drithërat është ndërmjetësuar vitin e kaluar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia për ta luftuar krizën ushqimore globale, të përkeqësuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Ukraina dhe Rusia janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të drithërave në botë. OKB-ja ka argumentuar se nga marrëveshja për drithërat kanë përfituar shtetet e varfra, pasi çmimet për produktet ushqimore janë ulur për 23 për qind, në nivel global.
Programi i OKB-së për Ushqime, po ashtu, ka dërguar 725.000 tonë të grurit ukrainas në operacionet e ndihmës në Afganistan, Xhibuti, Kenia, Etiopi, Somali, Sudan dhe Jemen./btvnews.al