E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Basha: Legalizimi i kanabisit i shërben krimit, vetting për ta shkëputur politikën nga krimi e korrupsioni

Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët në Vlorë. Lajmin e bëri të ditur vetë Basha përmes një reagimi në Facebook, ku ka ndarë edhe foto nga takimi.

Në reagimin e tij, Basha duke komentuar ligjin për legalizimin e kanabisit, thotë se qeveria shqiptare e kanabizoi vendin dhe sipas tij, raporti i OKB për drogën na rendit në vendin e 7-të nga 154 vende. Ai i bën thirrje SPAK që të hetojë këdo që ka abuzuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

POSTIMI I PLOTË:

Në një shtet ku ligjin e bëjnë bandat – legalizimi i kanabisit është akt kriminal ndaj shoqërisë e sidomos ndaj të rinjve.

Tashmë është fakt botërisht i njohur se si kjo qeveri e kanabizoi Shqipërinë.

Në Raportin Botëror të Drogës për vitin 2022, publikuar nga zyra e OKB-së për krimin dhe drogën, Shqipëria renditet në vendin e 7 nga 154 vende të botës për prodhimin dhe shpërndarjen e drogës.

Pamundësitë ekonomike, varfëria e papunësia kanë detyruar qindra qytetarë të punojnë si skllevër në parcelat e kanabisit që mbroheshin nga policia. E në vend që qeveria të tërhiqte investime, që hapin vende pune, rrisin mirëqënien e tyre, legalizon industrinë e kanabisit.

Në po të njëjtën ditë kjo mazhorancë, e cila ka dështuar t’u krijojë kushte më të mira e trajtim dinjitoz mjekëve që të mos largohen, kërkon me ligj t’i “burgosë” mjekët e ardhshëm për t’i ikur përgjegjësisë së saj.

Një Shqipëri e çliruar nga korrupsioni që kërcënon mirëqenien e familjeve shqiptare, i cili është ulur këmbëkryq në zyrat e qeverisë, siç dëshmon afera e Inceneratorëve, apo abuzimi me fondet e BE për bujqësinë, është prioritet sot i çdo qytetari të këtij vendi.
Ne inkurajojmë dhe mbështesim SPAK-un të hetojë pa e ndalur hetimin e gjithkujt që ka abuzuat me paratë dhe besimin e shqiptarëve e nga ana tjetër kërkojmë sa më parë vetting-un e politikanëve, për të pastruar politikën nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit.

Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo. E jo vetëm kaq por duhen krijuar mekanizmat ligjorë dhe mbështetja e pakushtëzuar për SPAK, që paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve!

Partia Demokratike ka nisur ndryshimin nga vetja e do ta sjellë këtë ndryshim për gjithë Shqipërinë duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet të cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve, që t’i zgjedhin vetë deputetët e tyre e për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit