E hënë, 18 Nëntor, 2024

VIDEO – Ura e Domit premtohet çdo fushatë elektorale, por sërish gjendja e saj po degradon

Ura e fshatrave Dome Zall – Rripë në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit vijon të jetë shqetësim për banorët dhe të gjithë ata që lëvizin çdo ditë mbi të. Banorët shprehen se ura është amortizuar shumë pasi nuk ka patur asnjë ndërhyrje në të prej disa muajsh.

Sipas banorëve, dërrasat e thyera, kavot gati në këputje e probleme të tjera, e bëjnë kalimin në urë të pasgurte. Ata thonë se muaj më parë para zgjedhjeve lokale ju është premtuar ndërtimi i një ure të re, por deri tani nuk po shohin gjurmë të zbatimit të projektit.

Ata thonë se premtimet e dhëna për këtë urë nga kryebashkiakja aktuale Valbona Kola dhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk u mbajtën, ndaj sot rrezikojnë jetën teksa kalojnë nga fshati i tyre në rrugën nacionale Klos – Burrel dhe anasjelltas.

Banorët kërkojnë të mbahet premtimi i dhënë pasi jeta vlen më shumë se ato para që duhen për të ndërtuar një urë të re në mënyrë që edhe ata të jenë të sigurtë në lëvizjen e tyre.

Ura e Domit është e vetmja në zonën e Klosit që është tip pasarel dhe mbi të kalojnë makina nga veturat, tek furgonët e pasagjerëve. Vazhdimisht kjo urë është kthyer në rrezik për drejtuesit e mjeteve./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit