Një 32-vjeçar arriti që brenda ditës së sotme të kryente dy vjedhje. Policia sqaron se si fillim ka marrë njoftim për një aksident, por më pas ka rezultuar se ka qenë vjedhje e një automjeti.
I riu me automjetin e vjedhur ishte aksidentuar, por policia thotë se këto verifikime u kryen pasi ai ishte larguar nga spitali, pasi kishte marrë disa lëndime. 32-vjeçari gjatë largimit nga spitali kishte arritur që të vidhte dhe një mjet tjetër, por sërish u aksidentua dhe u kap nga forcat e rendit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vodhi dy automjete ditën e sotme, falë veprimeve të shpejta policore, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Ditën e sotme, rreth orës 13:30, është marrë njoftim se te ish-Uzina e Autotraktorëve ka ndodhur një aksident. Shërbimet e Policisë si dhe të urgjencës, me marrjen e njoftimit, kanë kaluar menjëherë në vendngjarje dhe kanë dërguar në spital për ndihmë mjekësore një të dëmtuar nga aksidenti, shtetasin F. F., 32 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor.
Pas verifikimit të automjetit tip “Volkswagen”, të përfshirë në aksident, ka rezultuar se ky automjet, ishte vjedhur disa minuta më parë, në Fushë-Farkë. Shtetasi F. F., pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, pas disa minutash është larguar nga spitali. Në momentin që është larguar, në parkingun e spitalit, ka vjedhur një automjet tjetër tip “Ford”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të Komisariatit Nr. 4, të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, janë vënë në ndjekje të tij.
Gjatë tentativës për tu larguar, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi F. F., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, dhe si pasojë automjeti është përplasur me disa automjete të tjera. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit F. F., 32 vjeç, dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./btvnews.al