E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Ndërprerja e fondit të BE për bujqësinë, Konfindustria: Të merren masa ndëshkuese për skandalin e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të agjensive qeveritare

Konfindustria, në një komunikatë për shtyp ka kërkuar marrjen e masave ndëshkuese të jashtëzakonshme në të gjithë nivelet qeverisëse, përgjegjëse për skandalin e ndërprerjes së fondit të BE për bujqësinë.

“Skandali në fjalë është provë nga më të rëndësishmet e deritashme për të treguar për qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë për shkallën e efektivitetit të reformës në drejtësi.

Konfindustria vlerëson, se përveç arsyeve të bëra publike nga Komisioni i BE për ndërprerjen e pagesave për IPARD2 në vazhdim si dhe pezullimit të mbi 110 milion euro financime të IPARD3, vendimi mund të jetë dhe ndëshkim për ekzekutivin shqiptar lidhur me miratimin e ligjit të lejimit të prodhimit të kanabisit.

Vendimi i ndërprerjes së financimeve të BE për programin IPARD u shpall vetëm disa ditë para se Kuvendi i Shqipërisë të miratonte ligjin e shumë kundërshtuar të prodhimit të kanabisit mjekësor. Në këtë rast Shqipëria mund të ketë marrë edhe paralajmërim të qartë negativ për vazhdimin e negociatave të antarësimit në BE.

Konfindustria vlerëson, se skandali i korrupsionit dhe keqmenaxhimit të agjensive qeveritare të financimeve prej qindra milionë euro dhuratë nga BE rrënon imazhin e vendit prek themelet e demokracisë dhe është me pasoja të rënda për biznesin, fermerët, prodhimin vendor dhe ekonominë kombëtare në afatgjatë”, thuhet në deklaraën e bërë nga administrator i Përgjithshëm, Gjergj Buxhuku. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit