E premte, 29 Nëntor, 2024

Berisha: Operacioni i djeshëm dështoi! Nga 15 urdhër-arreste, 11 u shitën

Sali Berisha zhvilloi këtë të premte konferencën e përjavshme me gazetarët. Ai u ndal tek operacioni i SPAK ku janë arrestuar biznesmeni Pëllumb Gjoka, zyrtari i Policisë, Oltion Bitri dhe prokurori Xhevahir Lita.

Berisha tha se operacioni ka dështuar pasi nga 15 mandate arresti janë ekzekutuar vetëm 4. 11 të tjerë sipas tij janë shitur.

“Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe dështimin e operacionit antikrim të ndërmarrë dje dhe pardje, në të cilin, nga 15 mandate arresti, janë ekzekutuar gjithsej 4. 11 të tjera janë shitur. Janë shitur me shumë marramendëse, me shuma që shkojnë, siç flitet edhe 3 dhe 5 milionë euro. Bosët e drogës dhe krimit, paratë i kanë në kontejner të groposur, për të shpëtuar kokën, nuk njohin kufi. Por dekonspirimi i aksionit jashtëzakonisht të rëndësishëm, është një akt, një megakrim i vërtetë. E bën shumë dëshpëruese përpjekjen e atyre, të cilët përpiqen të çlirojnë shqiptarët nga kthetrat e krimit”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, Bistri kërkohej në Maqedoni për trafik droge.

“Olti Bistri njihet në botën e krimit me pseudonimin Çami. Ish-shefi i komisariatit në Pogradec, dhe më pas në Forcat Operacionale, dhe i kërkuar në Maqedoni për trafik të lëndëve narkotike në Maqedoni. I kërkohen shenjat e gishtave. Jahti luksoz i kapur në Greqi është i Olti Bistrit dhe çantat e hashashit janë me mbishkrimin Çami”, tha Berisha.

Ndërsa Pëllumb gjoka, për Sali Berishën është investitori strategjik i kryeministrit Edi Rama.

“Eksponenti tjetër i krimit që u arrestua dje, nëse do kishte një emër të dytë, do të quhej në mënyrë absolute vetëm Edi Rama. Për habinë tuaj, ky është Pëllumb Gjoka. I njohur botërisht si mik i Edi Ramës, si investitori strategjik i Edi Ramës, si njeriu, i cili kishte vrarë në vitin 1998 dhe plagosur një tjetër, si njeriu i cili kishte grabitur 390 mijë metër katrorë tokë në rërën e Velipojës, dhe si njeri i cili kishte marrë lejen nga Edi Rama për të ndërtuar ‘Silver City’-n e tij, por si njeriu që ishte arrestuar në Itali, kishte kryer krime monstruoze në Itali. Bandit, sipas medieve të njohura italiane”, tha Berisha

Artikuj te ngjashem

Me te fundit