E premte, 22 Nëntor, 2024

Brazili nuk pranon kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e spiunit rus

utoritetet braziliane kanë thënë se ia kanë hedhur poshtë një kërkesë Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e Sergei Cherkasov, për të cilin Uashingtoni dyshon se mblodhi të dhëna për luftën në Ukrainë derisa po shtirej si student i diplomuar.

Ministria e Drejtësisë dhe Sigurisë Publike e Brazilit (MDSPB), e cilësoi si “të pabazë” kërkesën e Uashingtonit, pasi Gjykata Supreme e Brazilit e kishte aprovuar tashmë ekstradimin e Cherkasovit në Rusi. Ekstradimi i tij në Rusi ishte pezulluar pasi Cherkasovi është duke u hetuar për spiunim në Brazil.

Për më tepër, Cherkasovi është duke e kryer një dënim me burg në Brazil, që i ishte shqiptuar për falsifikimin e dokumenteve, sipas MDSPB-së. Në qershor 2022, autoritetet në Holandë thanë se e kishin parandaluar një spiun rus, i identifikuar si Cherkasov, nga depërtimi në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila është duke i hetuar krimet e dyshuara të luftës të kryera nga trupat ruse gjatë pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.

Shërbimi i Sigurisë dhe Inteligjencës së Përgjithshme të Holandës (SHSIPH) kishte thënë në atë kohë se i dyshuari kishte shkuar në Holandë në prill 2022, duke e përdorur një artikull shpjegues të cilin e kishte ndërtuar gjatë 12 vjetëve të kaluara. Sipas SHSIPH, Cherkasov është agjent i Inteligjencës Ushtarake të Rusisë (IUR), dhe kishte përdorur një identitet të rremë për ta paraqitur veten si një qytetar brazilian 22-vjeçar me emrin Viktor Muller Ferreira.

Cherkasov ishte dëbuar në Brazil menjëherë, ku u arrestua nën akuzat për mashtrim me identitet. Policia braziliane tha në atë kohë se Cherkasov kishte shkuar në këtë vend fillimisht në vitin 2010, duke u shtirur si brazilian. Ai jetoi pastaj në Irlandë dhe në Shtetet e Bashkuara për disa vite, para se të kthehej në Brazil dhe t’i niste përgatitjet për t’u zhvendosur në Holandë.

Në prill të këtij viti, Shtetet e Bashkuara zyrtarisht i kërkuan Brazilit ta ekstradojë Cherkasovin, duke thënë se shtetasi rus kishte kryer aktivitete spiunimi në Uashington në vitin 2018.

Megjithatë, Rusia ishte e para që e kërkoi ekstradimin e Cherkasovit, duke thënë se ai dyshohej për trafikim ndërkombëtar me drogë. Grupet hetuese Bellingcat dhe Insider sugjeruan në atë kohë se kjo ishte një taktikë e Rusisë për ta siguruar kthimin e sigurt të Cherkasovit në Moskë./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit