Pavarësisht se në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, 245 anëtarë votuan që të anulohen zgjedhjet për kryetar që janë parashikuar të zhvillohen të shtunën, grupi i Lulzim Bashës nuk tërhiqet.
Ata kanë publikuar në rrjetet sociale vendet se ku do të votohet nesër. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në orën 19:00.
“Të nderuar anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë! Nesër më datë 29.07.2023, zhvillohet procesi i zgjedhjeve për Kryetar të PDSH! Ftojmë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të marrin pjesë në këtë proces mjaft të rëndësishëm për ringritjen e PD. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 19:00. Ju vendosni të ardhmen e PD dhe të ardhmen e Shqipërisë”, thuhej në njoftim.
Këshilli Kombëtar i PD zhvilloi dje një mbledhje online. Anëtarët e saj e konsiderojnë procesin e 29 Korrikut si antistatutor dhe farsë.
Po ashtu, në mbledhje u pranua dorëheqja e Lulzim Bashës, e datës 21 Mars 2022 dhe po ashtu ajo e Enkelejd Alibeajt që mban datën 17 Maj 2023.
Por pas mbledhje u përgjigj menjëherë Lulzim Basha, që tha se zgjedhjet do të zhvillohen. Në zgjedhjet e 29 Korrikut kandidojnë Lulzim Basha dhe Gjergji Hani./btvnews.al