Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Orjola Pampuri në një deklaratë për mediat ka reaguar kundër komunikatës së shpërndarë nga Gazment Bardhi, i cili në emër të deputetëve bënte thirrje për dalim të zgjedhjeve për kryetarin.
Pampuri sqaron se zgjedhjet e ditës së nesërme do të mbahen dhe deklarata e Bardhit nuk kishte miratimin e deputetëve, por është vetjake.
“Si Zëdhënëse e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dua të theksoj se; Deklarata në emër të grupit parlamentar, pa dijeninë anëtarëve të grupit nuk gëzojnë vërtetësi.
Nxitimin për të ndërmarrë hapa antistatutorë nuk ndihmon askënd, dhe nuk e legjitimon asnjë vendim. Kjo duhet të marrë fund. Individualisht deputetë të grupit mund të shprehin mendime e qëndrime, por të flitet në emër të grupit, pa pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve është e tepërt.
Nesër, Partia Demokratike ka zgjedhje dhe ky është një vendim i miratuar nga kryesia dhe këshilli kombëtar, mendimet dhe qëndrimet kundër mbajnë emër dhe mbiemër të çdo deputeti, por mllefet kolektive, nuk mund t’i atribuohen grupit parlamentar.
Partia Demokratike është e demokratëve, deputetët janë njerëz me dinjitet e integritet, dhe në asnjë moment nuk mund të shndërrohen në tabele qitje për të shfryrë mllefet e frustrimet e brendshme të askujt, apo për të mbrojtur interesat personalë të dikujt”, shkruan deputetja./btvnews.al