Njësoj si herët e tjera, me një kapele në kokë dhe një çantë në krahë, Alma Kaçi u paraqit sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ajo është thirrur nga prokurorët për t’u marrë sërish në pyetje pas videoskandalit me ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici. Ky i fundit, u mor dje në pyetje.
“SPAK është duke kryer hetimet përfundimtare para se të çojë çështjen në gjykatë për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici dhe Alma Kaçin”, raportoi gazetari Bajraktaraj.
Prokuroria e Posaçme kërkon të dijë me shumë rreth videoskandalit, pra nëse ka patur persona të tjerë që e kanë nxitur për kamerën e fshehtë, apo sa i përket tenderit që flisnin mes të dyve.
Safet Gjici dhe Alma Kaçi u arrestuan për korrupsion pasiv dhe aktiv. Gjici është lënë në arrest me burg, ndërsa Kaçi në arrest shtëpie.
Ajo është paraqitur disa herë në dyert e gjykatës për të dhënë deklarime.
Ata u vunë në pranga pas një videoje me përmbajtje erotike të filmuar në zyrën e Gjicit, ku menjëherë më pas flasin për një tender. /btvnews.al