E hënë, 25 Nëntor, 2024

Goditet grupi i trafikut që drejtohej nga 2 vëllezër shqiptarë

Makinat e mbushura me kokainë përshkuan Belgjikën dhe Holandën dhe më pas rrugët e veriut të Italisë. Kështu e nis shkrimin gazeta e “Brescia Today” që i referohet goditjes së një grupi kriminal shqiptar të trafikut të drogës.

Gjithsej në pranga përfunduan 18 persona dhe u sekuestruan 11 kilogramë kokainë me vlerë 800 mijë Euro, 1 kilogram marijuanë dhe rreth 50 mijë Euro kesh.

Sipas karabinerëve, ky grup ka trafikuar kohët e fundit 20 kg të tjera kokainë. Nga shitja me pakicë, u përfituan rreth 2.5 milionë Euro.

Droga blihej në Belgjikë dhe Holandë dhe më pas transportohej me makinë drejt veriut Italisë. Në krye të grupit ishin dy vëllezër shqiptarë, 25 dhe 27 vjeç, të cilët banonin në Fiesole të Firences. Mediat italiane shkruajnë se ata kishin ngritur bazën në Toskanë, nga ku shpërndahej droga.

Hetimet nisën pak muaj më parë, kur dy çifte shqiptarësh u kapën në Breno me 500 gramë kokainë ndërsa aksioni vendimtar i policisë, u krye këtë fundjavë.

Forcat speciale prangosën korrierin në zonën e Brescia, i cili po transportonte drogën drejt Firences. Nën sediljen e pasme të mjetit u gjetën 10 kiligramë kokainë e fshehur në një ndarje të veçantë, që mund të hapej vetëm njëpërmjet një butoni që ndodhej nën tapicerinë e tavanit të makinës. Në pranga përfunduan dhe dy vëllezërit shqiptarë të cilët po ndiqnin transportin e kësaj ngarkese.

Në total u arrestuan 18 persona ndaj të cilëve është dhënë masa e arrestit me burg.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit