Tenderët që zhvillohen nga institucionet shtetërore që kanë në fokus mbrojtjen dhe sigurinë mund të përfshijnë në dokumente edhe informacion të klasifikuar “Sekret Shtetëror” dhe që duhet të trajtohet me kujdes për të evituar nxjerrjen e tij.
Në të shkuarën ka pasur raste kur për institucione specifike dokumentet e hedhura në sistem mund të kenë pasur të përfshirë edhe detaje të klasifikuara por duket se tashmë evitimi i kësaj situate do të bëhet përmes një monitorimi më të hollësishëm.
Agjencia e Prokurimit Publik dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar kanë rënë dakord që të hyjnë në një marrëveshje të përbashkët që ka në fokus pikërisht këtë pjesë.
“Duke qenë se Agjencia e Prokurimit Publik dhe autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar në përmbushje të funksioneve dhe detyrave institucionale, kryejnë veprimtari në fusha të përbashkëta që lidhen me prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë si dhe me informacionin e klasifikuar “Sekret Shtetëror” në datën 27.07.2023 ndërmjet dy institucioneve u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi.
Kjo marrëveshje ka si qëllim bashkëpunimin në funksion të ndërgjegjësimit të autoriteteve kontraktore në mirëzbatimin e legjislacionit të prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si dhe për mirëzbatimin e rregullave, procedurave dhe kërkesave për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe kryerjes së këtyre procedurave” thuhet në njoftimin e APP sa i takon marrëveshjes së lidhur me dy institucionet.
Ndërkohë APP vijon se “bashkëpunimi do të realizohet ndër të tjera, nëpërmjet organizmit të trajnimeve të përbashkëta për autoritetet kontraktore që kryejnë prokurime në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, të cilat përmbajnë informacion të klasifikuar, si dhe nëpërmjet kryerjes së monitorimeve të përbashkëta, me qëllim verifikimin e zbatimit të ligjshmërisë nga ana e autoriteteve kontraktore, gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si përsa i përket zbatimit të rregullave të prokurimit, ashtu edhe zbatimin e rregullave, procedurave dhe kërkesave që lidhen me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar gjatë kryerjes së këtyre procedurave”./Monitor