E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Rritet taksa e pronës; Ndryshimet e çmimeve fiskale do shtojnë pagesat vjetore deri në 74%

Nga 230 lekë deri në 2,600 lekë në vit më shumë do të paguhet me taksën e pasurisë e llogaritur sipas çmimeve të reja fiskale të miratuara nga qeveria.

Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare që rriste çmimet e referencës së apartamenteve mbi të cilat llogaritet taksa e pasurisë sjell direkt shtim të pagesës vjetore të taksës, pasi baza e llogaritjes është vlera e shtëpisë.

Vlera e shtëpisë referuar vendimit për metodologjinë e taksës së pasurisë do të llogaritet me çmimet fiskale referencë për metër katror, që përdorin Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndërsa taksa e pasurisë referuar ligjit që u miratua në 2018 është 0,05% e vlerës së apartamenteve.

Referuar tabelës së çmimeve fiskale, p.sh për zonën e ish Bllokut që përkon me zonën kadastrale 5/1, vlera e një apartamenti me sipërfaqe 90 m2x190,000 lekë/m2 çmimi fiskal i vitit 2018 është 17,100,000 lekë.

Taksa e pasurisë që paguhej në 2018 ishte 8,850 lekë në vit. Çmimi fiskal referencës për këtë zonë u rrit 20%, duke arritur në vlerën e 228,400 lekëve për metër katror. Taksa vjetore në vlerë do të jetë 1,728 lekë më shumë në vit apo 20% më e lartë.

Në zonën kadastrale 7/4 që përkon në terren me zonat, si: Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht është shënuar rritja më e madhe e çmimeve fiskale me rreth 76%.

Për apartamentet e këtyre zonave me sipërfaqe 90 m2 vlera vjetore e taksës me çmimet e vjetra të referencës ishte 2,950 lekë. Me çmimin e rritur një familje që zotëron një apartament me sipërfaqe 90 m2 në këto zona do të paguajë për taksën e pronës 2,193 lekë më shumë në vit.

Krahasuar me vjet detyrimi për taksën e pronës do t’u rritet 74%. Nga 245 lekë në muaj që paguanin më parë me rritjen e çmimeve fiskale do të paguajnë 428,5 lekë. Taksa e pasurisë vilet nga pushteti vendor nëpërmjet faturave të ujit.

Taksa për apartamentet e privatizuara, sipas vendimit “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike” do të vijojë të llogaritet për 70% të vlerës së shtëpisë.

Bëhet fjalë për apartamentet e privatizuara në vitin ’92 për të cilat nuk është kryer asnjëherë transaksion shitje apo blerje. “Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar, çmimi për metër katror është 70 (shtatëdhjetë) për qind e çmimit sipas zonave të tabelës, vetëm në rastin e shitjes së parë”, thuhet në vendim.

Pra nëse në zonën kadastrale 1/1 që përfshin zonat si: Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit për një apartament me sipërfaqe 90 m2 të ndërtuar pas vitit ’92 do të paguhet 230 lekë më shumë në vit.

Nëse prona është e privatizuar në vitin me ligjin e privatizimeve në vitin 1992 më përpara me llogaritjen për 70% të vlerës paguhej 3,077 lekë në vit.

Me çmimin e ndryshuar fiskal do të paguhet 3,238 lekë, 5% më shumë. Krahasuar me një apartament me sipërfaqe 90 m2 e ndërtuar pas vitit ’93, pallatet ekzistuese do të paguajnë 30% më pak, vetëm për rastet e shitjes së parë. /Monitor

Zonat kadastrale

ZONA 1

1/1 Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit; 1/2 Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, LanaBregas, Linzë, Sauk

ZONA 2

2/1 Piramida, stadiumi “Qemal Stafa”; 2/2 Pazari i Ri, 9-katëshet, shkolla “Avni Rustemi”; 2/3 Ministria e Jashtme, Ambulanca nr.1, Bërryli; 2/4 Shkolla e Baletit, Ambasada Amerikane; 2/5 Qyteti “Studenti”, Fakulteti Ekonomik, Varrezat e Dëshmorëve, Sauk, Selitë

ZONA 3

3/1 Xhamllëku, Profarma, rruga “Bardhyl”, rruga “Kongresi i Manastirit”, Bulevardi “Zhan D’Ark”; 3/2) Porcelani, IK V, Kinostudio, rruga “Hoxha Tahsim”, Lana e vjetër, fshati Linzë

ZONA 4

4/1 Kompleksi i spitaleve, SHIK, Oxhaku, Allias i ri, fshati Tufinë; 4/2 Allias, rruga “Njazi Meka”, Bregu i Lumit, Alliasi i Ri, rruga “Myslym Keta” “5 Maji”

ZONA 5

5/1 Ish–Blloku, Libri Universitar, Vodafone; 5/2 Stadiumi “Selman Stermasi”, Shushica, Liqeni Artificial; 5/3 Kopshti Botanik, rruga “Komuna e Parisit” Liqeni artificial; 5/4 Hotel “Diplomat”, blloku “Vasil Shanto”, Selitë e Vogël

ZONA 6 Shkolla Teknologjike, Kombinati, Vaqar, Selitë, Yzberisht, Sharrë

ZONA 7

7/1 Rr. Gjykata e rrethit, Ish-Ekspozita “Shqipëria Sot”; 7/2 Blloku i Ambasadave, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit; 7/3 NSHRAK, parku i Ministrisë së Brendshme, Fabrika e bukës; 7/4 Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht

ZONA 8

8/1 Selvia, gjimnazi “Partizani” rruga “Tafajt”; 8/2 Medreseja, farmacia nr.10, Tregu Industrial; 8/3 Tregu Industrial, fabrika “Ajka”, uzina “Dinamo”, Bregu i Lumit

ZONA 9

9/1 Bar Piazza, Blloku përgjatë “Zogu I”, Rruga e Barrikadave, rruga “Fortuzi”, “Sulejman Pasha” deri te “Mine Peza”; 9/2 Stacioni i trenit, Arkiva e Përgjithshme, Hipoteka, Politeknikumi; 9/3 “Don Bosko”, Fabrika e Këpucëve, Bregu i Lumit, Politeknikumi, rruga “Siri Kodra”

ZONA 10

10/1 PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve; 10/2 Rruga “Myslym Shyri”, Drejtoria e Policisë, Kisha katolike; 10/3 Blloku i Ambasadave, Prokuroria, Rruga e Durrësit

ZONA 11

11/1 Zogu i Zi, ish-Shkolla e Partisë; 11/2 Ferluti, ish-Uzina Tirana, FIAT, Zbritja drejt Laprakës; 11/3 Laprakë, Drejtoria e Doganave, Spitali Ushtarak, Bregu i lumit, Fushë Mëzes, Don Bosko.

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit